TIRANË - Policia bashkiake ka mbërritur në orët e para të mëngjesit të Pashkës pranë pallatit në afërsi të fakultetit të inxhinieri – minierave. Sapo ka gdhirë ata kanë nisur punën për prishjen e shtesës së njërit prej apartamenteve me argumentin se ishte e paligjshme.
Banorët e pallatit kanë denoncuar pranë Shqiptarja.com shqetësimin që sipas tyre po u krijohet në një ditë feste, si e djelë Pashkës.
Vilsoni, njëri prej banorëve rrëfeu se punëtorët e policisë bashkiake urdhëroheshin nga babai i kreut të LSI, Ilir Meta, i cili sikundër pohojnë banorët është një prej njerëzve që jeton në këtë pallat.

“Ai sillet si zot shtëpie, urdhëron e ulëret si të ishte i pari i vendit”, thanë ata në denoncimin që paraqitën pranë redaksisë së Shqiptarja.com.

Punimet për prishjen e ndërtimit kanë krijuar zhurma dhe shqetësime, ndërkohë që pjesa më e madhe e banorëve sot kanë qëndruar në shtëpi për shkak së është një ditë pushimi – feste.
“Është e turpshme, që ndërkohë që gjithë bota pushim, në Tiranë policia bashkiake prish – ndërtime, ndërkohë që ka plot 6 ditë të javës për ta bërë këtë gjë”, u shpreh Vilsoni, i cili prej pak kohësh është kthyer nga emigrimi.

(aq/shqiptarja.com/REDAKSIAONLINE)