Një banor i njësisë bashkiake nr.8 denoncon këtë fakt në gazetën "Shqiptarja.com", pasi nuk ka gjetur zgjidhje për këtë problem pranë njësisë, e cila ia ka mbajtur dy herë këtë tarifë. "Mua më duhej një vërtetim që jam banor lagjeje, - na tregon banori që denoncon këtë fakt. - Dhe ata të nëjsisë më thanë që për të marrë vërtetimin që jam banor lagjeje duhet të paguaja 5 mijë lekë të reja për taksën e pastrimit. Unë në të vërtetë nuk e dija se si funksiononte kjo puna e taksës së pastrimit, pasi faturat i paguan gjithmonë bashkëshortja.
E pagova taksën e pastrimit dhe më dhanë mandat- arkëtimin. Por kur vajta në shtëpi dhe u tregova familjarëve ata më thanë që nuk duhej ta kisha paguar këtë taksë, pasi ne e paguajmë rregullisht me faturën e ujit të pijshëm. Vajta sërish në njësinë bashkiake nr.8, por askush nuk më dha përgjigje për këtë. Më thanë do ta verifikojmë rastin tënd", - na thotë ky banor, i cili na tregon edhe mandat arkëtimin të kësaj takse prej 5 mijë lekësh të reja. Ai më tej na tregon se teksa priste të paguante për të dytën herë këtë taksë, kishte plot të tjerë që ankoheshin se përse duhej ta paguanin këtë taksë. Ndërsa shton se bashkia nuk mund t'ua mbajë në këtë mënyrë lekët qytetarëve të saj.
"Kjo është absurde. Ne i paguajmë rregullisht faturat, dhe bashkia mund ta verifikojë fare lehtë pranë ujësjellësit që ne nuk kemi detyrime ndaj saj. Por administrata nuk do ta bëjë punën e saj, ata duan vetëm e vetëm si të mbushin arkat e tyre", - na thotë i irrituar qytetari. Më tej ai na tregon se në njësinë bashkiake nr.8, ku edhe është banor, i kanë kërkuar madje të paguajë edhe taksën e pronës, ndërkohë që ai është qiraxhi. "Në shtetin tonë absurdet nuk kanë të sosur. Siç të thashë, unë vajta për të marrë një vërtetim se jam banor lagjeje, vërtetim që më duhej patjetër.
Pasi pagova taksën e pastrimit më thanë se duhej të shkoja në hipotekë, të merrja një vërtetim që nuk kam pronë, pasi ndryshe duhej të paguaja edhe taksën e pronës. U habita! Pasi unë nuk kam shtëpi timen dhe jetoj me qira dhe një kopje të kontratës së qirasë unë e kam dorëzuar në këtë njësi bashkiake, në momentin që jam regjistruar si banor i saj. Por punonjësit e bashkisë përtojnë të hapin regjistrat e tyre dhe na sorollasin pa kuptim neve. Sigurisht që unë nuk pranova ta bëj këtë gjë, dhe pas shumë debatesh ma dhanë vërtetimin që jam banor lagjeje", - na shpjegon më tej ai.
(ad.ti/shqiptarja.com)