Bashkia e Tiranës mbledh 91 milionë euro të ardhura në 2018-n, një e treta nga taksa mbi ndërtimet e reja

Bashkia e Tiranës mbledh 91 milionë euro të ardhura në 2018-n, një e treta nga taksa mbi ndërtimet e reja

Bashkia e Tiranës

Si po ndërtohet e tashmja, duke hipotekuar të ardhmen….
Bashkia e Tiranës pritet që të mbledhë deri në fund të këtij viti 11.4 miliardë lekë (rreth 91 milionë euro) nga taksat dhe tarifat që paguajnë bizneset dhe qytetarët, sipas të dhënave zyrtare të saj në tabelat e projektbuxhetit 2019-2021. Në raport me atë që priste të mblidhte në fillim të vitit, plani është realizuar me 88%, ose rreth 12 milionë euro më pak (parashikimi fillestar i Buxhetit ishte për arkëtimin e gati 13 miliardë lekëve ose rreth 103 milionë euro).

Zëri që ka sjellë më shumë të ardhura në buxhet është “Taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja”, nga e cila pritet të arkëtohen 3.7 miliardë lekë (30 milionë euro), duke përbërë gati një të tretën e të ardhurave (32.4%) që Bashkia mbledh në total nga taksat dhe tarifat. Plani për këtë zë pritet të realizohet 115% (parashikimi fillestar ishte 3.2 miliardë lekë). Prej dy vitesh ky zë është kthyer në kryesorin për Bashkinë Tiranë për dy arsye, së pari nga rritja e taksës nga 4% e kostos në 8% të çmimit të shitjes dhe së dyti nga shtimi i lejeve të ndërtimit në Tiranë. Sipas të dhënave të tjera të INSTAT, për 9 mujorin janë dhënë gjithsej 268 leje ndërtimi në kryeqytet, me një rritje prej 38% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vrulli i ndërtimeve pritet të vijojë edhe në 2019-n. Bashkia Tiranë parashikon që të mbledhë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga lejet e ndërtimit rreth 4 miliardë lekë, me një rritje prej 8% në raport me atë që pritet të mbidhet në 2018-n. Zëri i dytë që pritet të sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e këtij viti (rreth 17% të totalit) është “Tarifa e pastrimit”, nga e cila janë mbledhur 1.9 miliardë lekë, me një realizim plani prej 89%.

Më pas renditet “Taksa mbi pasurinë e paluajtshme”, nga e cila deri në fund të këtij viti pritet të arkëtohen rreth 1.7 miliardë lekë (gati 16% e totalit). Ky zë ka dhe mosrealizimin më të lartë të planit, për vetëm 71% për shkak se nuk u bë e mundur që të fillonte mbledhja e taksës në bazë të formulës së re mbi vlerën e pronës. Kjo metodë pritet të fillojë të aplikohet vitin e ardhshëm (Niveli i taksës i shprehur në përqindje si për ndërtesat që përdoren për banim në masën 0.05% edhe për ndërtesat që shfrytëzohen për veprimtari ekonomike në masën 0.2%, aplikohet mbi vlerën e ndërtesës). Së fundmi, Bashkia Tiranë ka vendosur si agjent për mbledhjen e taksës së pasursë së paluajtshme Ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizime Tiranë. Brenda katër muajve të gjithë qytetarët duhet të shkojnë të bëjnë vetëdeklarimin e sipërfaqëve që kanë në pronësi apo përdorim, informacion që më pas do të verifikohet nga Ujësjellësi. Si rrjedhojë për vitin 2019, Bashkia pret të arkëtojë 2.4 miliardë lekë nga kjo taksë, me rritje 35% ng fakti i këtij viti, ku shtesa më e madhe do të jetë për familjarët, që do paguajnë më shumë se dyfishin në 2019-n dhe katër herë më shumë deri në vitin 2021 (nga 220 milionë lekë e pritshmja 2018 në 900 milionë lekë në vitin 2021).

Nga “Taksa e përkohshme e infrastrukturës” do të mblidhen 709 milionë lekë, ose 80% e planit. 37% e të ardhurave të kësaj takse paguhen nga familjarët dhe pjesa tjetër nga bizneset. Kjo taksë ka siguruar 6.2% të të ardhurave totale të bashkisë. Taksat e tarifat e tjera zënë secila më pak se 4% të të ardhurave totale. Një rritje të konsiderueshme ka pasur zëri i “Tarifës për parkimin e automjeteve”, me qytetarët që kanë paguar 440 milionë lekë (3.5 milionë euro) për parkime me biletë dhe me kontratë, pothuajse po aq sa kishte planifikuar Bashkia në fillim të vitit.

Për zënien e hapësirave publike, bizneset kanë paguar 372 milionë lekë, ose 76% të planit. Në total, përfshirë tranfertat e pakushtëzuara dhe të ardhurat e mbetura, totali i buxhetit të Bashkisë së kryeqytetit është 17.2 miliardë lekë në 2018./Monitor/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • goni: 26/12/2018 14:17

    Punet e mira shperblehen LALI je me i miri

    Përgjigju
  • Martini: 26/12/2018 11:03

    Bravo Erjon.Jo qe po ndryshon Tiranen por me shume se.gjysma e ketyre fondeve shkonte ne xhepat e.zyrtareve te koruptuar.Tashti ndertuesi pasi te shlyeje keto detyrime per qytetaret e Tiranes,po ja mbajti pagurja dhe.xhepi le ti jape pare per lorupsion qofte dhe Erjonit Hallall.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë