TIRANE - Në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të qershorit, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë disa nisma për të lehtësuar kategori të caktuara të biznesit të vogël, që paguan taksat pranë saj, nga barra fiskale. Kjo Bashkji ka prezantuar deri tani disa nga 18 vendimet që janë paraqitur pranë Këshillit Bashkiak dhe që do të shqyrtohen në mbledhjen e radhës të këtij Këshilli.

Një vendim që pritet të diskutohet në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 28 shkurt është ai që ka të bëjë me lehtësimin fiskal me 30 për qind për 528 biznese të vogla në kryeqytet, kryesisht ato të artizanatit. Lista me emrat e këtyre bizneseve publikohet më poshtë.

Subjektet që pasqyrohen në listë do të përfitojnë nga lehtësia fiskale duke filluar nga data 1 janar e vitit në vazhdim, pra vendimi do të ketë një efekt prapaveprues në kohë. Ndërkohë, për llogaritjet nga ana e administratës tatimore pranë kësaj Bashkie, vendimi do të hyjë në fuqi 10 ditë pas shpalljes.

Po kështu, nga ana tjetër, parashikohet të merren vendime të posaçme për përjashtim nga taksa edhe për ato biznese, që punësojnë të rinj. Krijimi i një regjistri me listën e pronave të paluajtshme është një tjetër vendim, i cili synon të krijojë një bazë të dhënash për secilin objekt të regjistruar.

Shkrimi u botua në gazetën Shqiptarja.com

Redaksia Online
(b.m/shqiptraja.com)