Bashkimi Europian ka vendosur një kanal komunikimi me Kremlinin në një moment kur në Bruksel po shtohen diskutimet për një rol më aktiv të Europës në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Sipas Politico, një anëtar i kabinetit të presidentit të Këshillit Europian, Antonio Costa, ka kontaktuar me Moskën gjatë javëve të fundit, duke hapur një linjë komunikimi që vjen në kundërshtim me praktikën e ndjekur nga Bashkimi Europian pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Një zyrtar europian i tha medias amerikane se kontaktet kanë qenë të shkurtra dhe nuk kanë përfshirë diskutime konkrete mbi negociatat apo përmbajtjen e mundshme të një marrëveshjeje, por janë parë si të nevojshme për ruajtjen e interesave të Bashkimit Europian.
“Bashkimi Europian ka interesa specifike që do të duhet të mbrohen. Prandaj është e rëndësishme të ekzistojnë kanale diplomatike të vendosura me Rusinë”, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
Lajmi vjen ndërsa liderët europianë po debatojnë gjithnjë e më shumë nëse BE duhet të përfshihet drejtpërdrejt në bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë. Deri tani, disa liderë europianë kanë pasur kontakte individuale me presidentin rus Vladimir Putin, por nuk ka ekzistuar një përpjekje e koordinuar nga vetë Bashkimi Europian.
Sipas të njëjtit burim, Antonio Costa ka qenë në koordinim të vazhdueshëm me liderët europianë për mënyrën se si mund të zhvillohet një angazhim i mundshëm me Rusinë dhe për temat që mund të diskutohen kur të krijohen kushtet e duhura.
Megjithatë, zyrtari theksoi se Bashkimi Europian nuk e konsideron veten ndërmjetës mes Ukrainës dhe Rusisë.
Debati për një rol më të madh të Europës është intensifikuar që pas kërkesës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë një takimi informal të liderëve europianë në Qipro muajin e kaluar. Sipas diplomatëve të cituar nga Politico, Zelensky u kërkoi vendeve anëtare të BE-së të marrin një rol më aktiv në procesin e paqes.
Presidenti ukrainas argumentoi se Europa duhet të angazhohet më shumë duke qenë se Shtetet e Bashkuara kanë ulur përfshirjen e tyre në përpjekjet diplomatike. Edhe ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, ka deklaruar më herët se Bashkimi Europian duhet të jetë pjesë e negociatave së bashku me SHBA.
Megjithatë, jo të gjitha vendet anëtare ndajnë të njëjtin qëndrim. Polonia dhe vendet baltike kanë shprehur rezerva ndaj kontakteve të drejtpërdrejta me Moskën, duke argumentuar se një hap i tillë mund të dobësojë presionin ndaj Kremlinit.
Në krahun tjetër, presidenti francez Emmanuel Macron ka mbështetur idenë e hapjes së dialogut me Rusinë. Gjatë samitit të G7 në Francë, Macron vlerësoi përpjekjet amerikane për t’i dhënë fund luftës, por shtoi se deri tani nuk ka shenja se Moska po tregon vullnet serioz për paqe.
Roli që mund të luajë Bashkimi Europian në negociatat e ardhshme pritet të diskutohet edhe gjatë samitit të liderëve europianë që zhvillohet këtë javë në Bruksel. Sipas diplomatëve europianë, nuk pritet ende një vendim për atë se kush mund të përfaqësojë BE-në në bisedime të mundshme me Rusinë, por diskutimet për një angazhim më të madh europian tashmë kanë nisur.
Komente







