Bashkimi me Kosovën, Rama: Nuk
shqetësohem nga BE e SHBA

Bashkimi me Kosovën, Rama: Nuk<br />shqetësohem nga BE e SHBA
Prezantimi i kandidatit për bashkinë e Tiranës pritet të kryhet brenda javës së ardhshme. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama, në një prononcim për shtypin, ku theksoi se brenda javës që vjen do të jenë gati kandidaturat për tryezën e koalicionit.

Në përgjigje ndaj akuzave të Partisë Demokratike për prezantimin e kandidatëve të inkriminuar, Rama tha se një kandidat i shpallur prej tyre (Xhelal Mziu), u shpall fajtor nga gjykata dhe mesa rezulton do jetë në burg.

“Me keqardhje e them që PD, tjetër thotë, tjetër bën, tjetër mendon, tjetër del”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se, koalicioni do të jetë një koalicion i madh për të qeverisur bashkitë dhe jo Shqipërinë, sepse Shqipëria e ka koalicionin e saj qeverisës.

"Jemi duke përcaktuar fatin e reformës administrative për të përcjellë si të mira ato për të cilat, reforma në ka çelur rrugën. Sfida e këtyre zgjedhjeve është shumë më e madhe se sfida e zakonshme e zgjedhjeve vendore. Këto zgjedhje nuk janë zgjedhje politike, por zgjedhje historike", tha Rama.

I pyetur për kritikat e Ben Blushit pas përzgjedhjes së kandidatëve të Partisë Socialiste, kreu i qeverisë, u shpreh se, “sot kam bërë disa takime, ku kemi pasur debate dhe nuk kam kujtesë për ndonjë debat të veçantë me ndonjë deputet, për mua s’ka lajm këtu”.

"Kritikat e BE-së nuk më shqetësojnë"

Kryeministri Rama u shpreh se vërejtjet e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për deklaratat e tij për bashkimin me Kosovën, nuk e shqetësojnë "fare".

Intervista e plotë:

Sot kemi pasur një tjetër tur konsultimesh intensive, ku kemi rakorduar qoftë qëndrimet në tërësi të bazës së partisë, qoftë çka deputetët kanë arritur të vjelin nga konsultimet me shoqërinë civile, me grupet e tjera të interesit, qoftë edhe rezultatet  e sondazheve që në zona të caktuara kanë qenë më shumë se një, të cilat janë bërë mjaft të detajuara.

Kemi dakordësuar për një numër të konsiderueshëm kandidatësh dhe kandidatesh që do t’i propozohen tryezës së koalicionit. Ndërkohë që, mbeten për t’u përfunduar edhe disa njësi, ndër të cilat edhe njësia më e madhe e vendit, Bashkia e Tiranës. Për këto njësi ka akoma disa punë për të bërë, të natyrës konsultative dhe po ashtu të përfundimeve të imta të anketimeve, që ne kemi zhvilluar.

Kur pritet të realizohet prezantimi i kandidatëve të Tiranës?

Unë besoj që brenda javës së ardhshme, dhe mendoj në mesjavë, ne do të jemi gati me të gjitha kandidaturat për tryezën e koalicionit.

Si i pritët kritikat e zotit Blushi për injorim të strukturave të partisë?

Unë kam bërë sot disa takime, nuk mbaj mend madje se sa, ku kemi pasur debate dhe nuk kam ndonjë kujtesë për ndonjë debat të veçantë me ndonjërin nga deputetët. Sepse, ne debatojmë në mënyrë të natyrshme me njëri tjetrin dhe kjo është konstante, kështu që për mua s’ka lajm këtu.

Zoti Rama, keni një përgjigje për akuzat e Partisë Demokratike që thotë se ju po i prezantoni shqiptarëve persona të inkriminuar?

Nuk di çfarë kanë parasysh, por më duket se vetëm para pak çastesh mësuam se një kandidat i shpallur prej tyre, për të konkurruar në një nga bashkitë kryesore, u shpall fajtor nga gjykata dhe mesa më rezulton do jetë në burg. Kështu që, shpreh keqardhje të thellë për PD që tjetër thotë, tjetër bën, tjetër mendon dhe në fund fare tjetër i del.

 Po përsa i përket aleancave, FRD, PBDNJ, PSD e zotit Milo do të jenë me ju në këto zgjedhje, apo jeni ende në negociata?

Jemi në diskutime me të gjithë dhe koalicioni do të jetë një koalicion i madh. Një koalicion për të qeverisur bashkitë, jo për të qeverisur Shqipërinë, sepse Shqipëria e ka koalicionin e vet qeverisës. Eksperiencat dhe praktikat e mira, të vendeve nga të cilat mësojmë, flasin qartë se në nivelin e qeverisjes vendore ka shpesh herë koalicione të ndryshme nga ato të nivelit të qeverisjes kombëtare. Mbi të gjitha, ajo që ne kemi shqetësimin kryesor është që në këto zgjedhje nuk jemi duke bërë garën e radhës për një palë zgjedhje vendore, por jemi duke përcaktuar fatin e Reformës Administrative, në kuptimin e një jetësimi sa më të mirë dhe cilësor për të përcjellë si të mira për qytetarët, të gjitha ato të cilat reforma na ka çelur rrugën që t’i përkthejmë në të mira për qytetarët, në formën e shërbimeve më cilësore dhe në formën e një qeverisje shumë më cilësore. Kështu që, sfida e këtyre zgjedhjeve është një sfidë shumë më e madhe sesa sfida e zakonshme e zgjedhjeve. Për këtë arsye të gjithë qytetarët duhet ta shohin në këndvështrimin tonë këtë proces, si një proces që do të përcaktojë shumë mënyrën sesi do të qeveriset në nivel vendor dhe çfarë cilësie do të kenë shërbimet që do të marrin qytetarët në nivelin vendor. Këtu sinergjia mes të zgjedhurve të koalicionit tonë dhe qeverisë qendrore do të jetë kyçe dhe prandaj besoj që qytetarët do të dinë të zgjedhin dhe do të bëjnë zgjedhje më të mira.

Ju vet keni deklaruar se për kryeqytetin ka shumë punë për të bërë. A do të kishte qenë më mirë që të bëhej një garë brenda PS me projekte për Bashkinë e Tiranës, ndoshta kështu do të kishit evituar akuzat se e keni mbyllur procesin tek një njeri i vetëm?

Këto janë pjesë e jetës dhe mua nuk më bëjnë përshtypje. Madje, t’ju them të drejtën as nuk i dëgjoj fare se jam mësuar kaq shumë me muhabete pazari të përkthyera në trajtë akuzash politike sa që kam fituar imunitet të plotë. Ajo që mund t’ju them është se asnjëherë më parë, të paktën unë kam drejtuar dy palë zgjedhje të tjera vendore si kryetar i Partisë Socialiste, së pari nuk është bërë një proces kaq i imët konsultimesh dhe kaq i detajuar për të thithur opinionin e qytetarëve, jo vetëm në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes kontakteve me bazën e partisë, por edhe në mënyrë indirekte përmes anketimeve dhe përmes kontakteve me grupet e interesit.

Së dyti, asnjëherë më parë, dhe mund ta verifikoni, ky diskutim i brendshëm dhe këto konsultime nuk janë bërë kaq kohë përpara fillimit të fushatës.

Së treti, ajo që është më e rëndësishmja është që unë kam bindjen se procesi na ka çuar drejt kandidaturave më të spikatura në këtë moment. Edhe kandidaturat e tjera që do dalin do të jenë më të spikaturat në funksion të qëllimeve që kemi.

Sipas sondazheve tuaja në sa bashki rezultoni fitues?

Edhe njëherë dua ta bëj shumë të qartë, që për mua dhe për ne, këto zgjedhje nuk janë zgjedhje politike, por janë zgjedhje me një rëndësi historike për shkak të një reforme historike që ne kemi ndërmarrë, që është Reforma Administrative Territoriale dhe të ndryshimit historik që do të sjellë për çdo komunitet ky proces zgjedhor. Pasi, nëse deri dje kemi pasur qytetarë të dorës së parë që jetonin në bashki dhe qytetarë që trajtoheshin si të dorës së dytë dhe jetonin në komuna sot të gjithë janë qytetarë të barabartë dhe të gjithë janë pjesë e këtij procesi ku duke qenë tanimë të përfshirë në jetën e komunitetit të një bashkie të madhe, meritojnë të marrin shërbime shumë më cilësore dhe ta ndjejnë shumë më pranë qeverisjen e tyre vendore. Pra, bëhet fjalë për një proces që ka një rëndësi shumë të madhe për si do të qeverisen komunitetet në katër vitet e ardhshme. Në këtë aspekt, unë nuk e shikoj këtë si një çështje numerike, as si një garë që do të përcaktojë ndonjë gjë në raportet politike në vend, pasi raportet politike janë të përcaktuara dhe kjo nuk është një betejë që ne e kemi me PD apo me opozitën. Kjo është një betejë që ne e kemi me të shkuarën për të fituar të ardhmen. Nuk kemi kundërshtarë ne në terren, në kuptimin e opozitës. Ju e shikoni vetë në çfarë katandie është Partia Demokratike. Por, ne kemi kundërshtarë një traditë të mbrapshtë të keqqeverisjes vendore, në një numër të madh zonash të vendit ku për shkak të një pushteti të fragmentuar dhe abuziv shumë qytetarë që deri dje kanë banuar në shumë komuna, nuk kanë marrë mbrapsht asgjë ndërkohë që kanë votuar apo kanë kontribuuar me taksat e tyre./shekulli/

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

Humbi vëllanë, Gjykata e Hagës nuk i jep leje Jakup Krasniqit për ceremoninë e varrimit! U përcoll sot në Drenas

Humbi vëllanë, Gjykata e Hagës nuk i jep leje Jakup Krasniqit për ceremoninë e varrimit! U përcoll sot në Drenas