Bashkohen fizika kimia e biologjia
Ruka: Stop eksperimenteve

Bashkohen fizika kimia e biologjia<br />Ruka: Stop eksperimenteve
TIRANE- Reforma që do të prekë arsimin parauniversitar, në kuadër të ligjit të ri të miratuar vetëm pak ditë më parë në qeveri, do të prekë edhe kurrikulën. Më konkretisht, në arsimin 9-vjeçar do të shkohet drejt bashkimit të teksteve të kimisë, biologjisë dhe fizikës, të cilat tashmë do të zhvillohen si një tekst i integruar dhe jo më si lëndë më vete.

Për ish ministrin e Arsimit, Et’hem Ruka, njëkohësisht edhe autor i disa teksteve të Biologjisë apo të Diturisë, këto eksperimente që po i bëhen sistemit tonë arsimor janë të tepërta. Ai na shpjegon se do të ishte mirë që kur bëhet fjalë për vendimmarrje të tilla, duhet që më parë të bëhet një debat publik, të pyeten grupet e interesit dhe më pas të vendoset të merren ndryshime kaq të mëdha, pasi prekin të gjithë sistemin arsimor. Sa i përket faktit të bashkimit të këtyre lëndëve në një, në një intervistë për “Shqiptarja.com” Ruka shprehet se në vendin tonë nuk kanë munguar dështimet e provave të tilla.
Në kuadër të ligjit të ri të arsimit parauniversitar parashikohet që fizika, kimia dhe biologjia të zhvillohen si një tekst i integruar dhe jo lëndë më vete, ju si specialist a jeni dakord me këtë ndryshim?
Së pari unë nuk jam në dijeni fare të këtij ndryshimi, pasi drafti neve nuk na ka ardhur. Dhe së dyti unë mendoj se Ministria duhet të na shpjegojë se ku e ka marrë modelin që po ua servir nxënësve tanë dhe çfarë rezultatesh ka pasur. Ne aktualisht kemi praktika të tilla. Kemi Dituri Natyre që bëhet në klasën e katërt, por ajo nuk shkon më tej. Gjithashtu kemi edhe Shkencat që bëhet në vitin e fundit të shkollës së mesme, por këto mbeten vetëm këtu, nuk ndjekin një linjë në të gjitha vitet e shkollës. Në vendin tonë kemi pasur praktika të tilla që kanë dështuar.
Ministria e Arsimit ka deklaruar se integrimi i këtyre teksteve bëhet për të ulur ngarkesën mësimore?
Po, kjo edhe mund të jetë një argument, por duhet parë si do të jenë të gërshetuara këto tre lëndë, ndaj Ministria duhet të shpjegojë se si do të funksionojë kjo gjë me terma konkretë.
Ju a jeni në dijeni se si do të bëhen ndryshimet konkrete?
Jo, unë nuk jam në dijeni, ndaj edhe nuk mund të jap një opinion përfundimtar sepse nuk i di detajet. Ne nuk jemi njohur me projektligjin e ri të arsimit parauniversitar.
Këto ndryshime që parashikohen të bëhen a janë në përputhje me veçoritë e sistemit tonë arsimor?
Unë mendoj se eksperimente të tilla duhet të marrin fund. Vetëm pak kohë më parë u deklarua si arritje e madhe futja e teksteve të përkthyera të shkencave ekzakte. Ata dështuan krejtësisht, pasi nuk kishin të njëjtin program me shkollat tona, dhe nuk krijonin një lidhje logjike. Tani ndërmerret një eksperiment tjetër. Unë dua të di a janë konsultuar grupet e interesit për një ndryshim kaq rrënjësor, pasi ky draft parashikon ndryshimin edhe të strukturës së arsimit bazë?
Ministria e Arsimit ka deklaruar se forma përfundimtare e draftit ka dalë pas një konsulte të gjatë me grupet e interesit...
Po ministria mund ta ketë konsultuar me dy-tre mësues, por unë edhe në këto momente që flasim nuk e kam në dorë një kopje të këtij drafti dhe nuk di se për çfarë flitet konkretisht në të. Megjithatë, theksoj edhe një herë që eksperimente të tilla duhet të marrin fund. Kjo edhe për faktin se ne tani jemi në fund të një reforme të nisur në arsimin parauniversitar, duhet të shikohen njëherë rezultatet e saj, të konsultohen me ekspertë, të bëhet një debat i hapur dhe pastaj të kalohet në vendimin për ta ndryshuar sërish.

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh