Me një fjalim të mbushur me simbolikë shtetformuese, emocione politike dhe thirrje për bashkim kombëtar, kandidatja presidenciale e Lidhjes Demokratike të Kosovës,  Vjosa Osmani, hapi zyrtarisht fushatën elektorale të LDK-së,për zgjedhjet e 7 qershorit.

Para mijëra mbështetësve në Prishtinë dhe shumë të tjerëve që e ndoqën nga diaspora, ish-presidentja e ndërtoi gjithë mesazhin e saj mbi idenë e bashkimit dhe rikthimit të Kosovës te fryma rugoviane.

“Kjo nuk është thirrje për një parti. Është thirrje për Kosovën”, deklaroi ajo mes brohorimave të turmës.

Në atë që mediat në Kosovë e përshkruajnë si një ndër fjalimet më të drejtpërdrejta politike të viteve të fundit, Osmani sulmoi ashpër politikën e konfliktit dhe polarizimit, duke thënë se qytetarët janë lodhur nga përçarjet dhe izolimi.

“Politika që nxit urrejtje, përçarje dhe frikë duhet t’i takojë së kaluarës”, u shpreh kandidatja e LDK-së, duke theksuar se zgjedhjet e 7 qershorit janë “zgjedhje mes dy vizioneve për shtetin”.

Osmani e paraqiti Rugovizmin si projekt modern politik për të ardhmen e Kosovës dhe jo si nostalgji të së kaluarës.

“Rugovizmi nuk është relikt i së kaluarës. Është ideja më moderne që ka njohur politika shqiptare”, deklaroi ajo.

Në pjesën më të fortë të fjalimit, Osmani e lidhi të ardhmen strategjike të Kosovës me aleancën me SHBA-në dhe integrimin euroatlantik, duke premtuar se Kosova do të jetë “shtet i institucioneve dhe jo shtet i një njeriu”.

Salla ishte e mbushur me flamuj të Kosovës dhe SHBA-së, ndërsa ovacionet më të forta erdhën kur Osmani foli për të rinjtë, diasporën dhe emigrimin.

“Më shumë po ëndërrohet aeroporti sesa e ardhmja në Kosovë. Kjo duhet të ndryshojë. Më 7 qershor, bashkë fitojmë përsëri”, tha ajo.

 

U.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 27 Maj, 09:19

    Shqipëria nis mbylljen e kapitujve për anëtarësim, a do realizohet objektivi BE 2030?