BB:Buxheti nuk përkrah zhvillimin
ekonomik, të ardhurat do bien

BB:Buxheti nuk përkrah zhvillimin<br />ekonomik, të ardhurat do bien
Kosova po përballet me një status-quo ekonomike për një kohë të gjatë, papunësia është tepër e lartë për të cilën nuk ka raporte të sakta që dy vite ndërsa mospjesëmarrja në tregun e punës vlerësohet se është tepër e lartë diku rreth 63%.Kështu thuhet në raportin e Bankës Botërore mbi zhvillimet ekonomike në Evropën Jug-lindore.
 
Ky raport vlerëson se buxheti i Kosovës për vitin 2014 dhe i viteve në vijim nuk përkrah zhvillimin ekonomik, pastaj vlerëson se evazioni fiskal është i lartë rreth 34%, ndërsa vlerësohet se të hyrat pritet të bien vitet e ardhshme dhe se buxheti nuk përkrah zvogëlimin e varfërisë ekstreme.
 
Sipas këtij raporti, Kosova ka pasur rritje ekonomike solide pa krijim të vendeve të reja të punës, eksporte janë rritur në vitin 2013 por kanë rënë në fillim të këtij viti, është zvogëluar importi ku zëvendësim është bërë kryesisht me produkte ushqimore, ka varshmëri të lartë nga diaspora ndërsa kreditë e këqija vazhdojnë të rriten.
 
Agim Demukaj, ekonomist në Bankën Botërorë në Kosovë, tha se sipas raportit të vjetshëm, rritja ekonomike në Kosovë është paraparë të arrijë deri në 4.2 %, por gjatë zhvillimeve të fundit ekonomike, ka pasur stagnime, e sidomos me eksportin.
 
“ Në vitin 2014 rritja ekonomike parashihet 3.5 %, më herët sipas prezantimit që kemi bërë në dhjetorë, projeksioni ka qenë për 4.2 % mirëpo për shkak të zhvillimeve të fundit, disa stagnime që kemi në radhë të parë eksportet nuk kanë performuar si kemi pritur. Eksportet vitin e kaluar 6.8 % rritje, derisa sivjet për 3 muajt e parë kemi pas rrënje për 2.3 % krahasuar me vitin paraprak në periudhën e njëjtë” tha Demukaj.
 
Ai tha se Kosova vazhdon të ketë varshmëri të lartë nga diaspora.
 
Sa i përket kredive, Demukaj tha se vitin e kaluar ka pasur një rritje prej 2.6 % e cila është pozitive. Ndërsa, për kreditë e këqija, Kosova qëndron më mirë se shtetet e rajonit, megjithatë, këto kredi kanë një rritje prej 8.7 %, që krahasuar me tri vitet e kaluara, kreditë e këqija janë dyfishuar në Kosovë.
 
Demukaj, tha se papunësia, sipas anketave dhe raporteve që janë bërë në fund të vitit 2012, del të jetë më e larta në rajon me 31 %.
 
Që nga ajo kohë, sipas tij, nuk ka pasur të dhëna dhe raporte lidhur me punësimin.
 
“Papunësia është e lartë, më e larta në rajon edhe pse kemi shumë probleme me të dhënat, për shkak se anketa e fuqisë punëtore është publikuar në fund të 2012, e kemi parë që është prezantuar një papunësi prej 31 % krahasuar me nivelet më të larta më herët... Me pak fjalë në Kosovë, mund të konsiderojmë se papunësia nuk ka ra kurrë, për shkak se papunësia nuk është rritë. Punësimi ka qenë pothuajse i njëjtë me rritje shumë të vogla. Kjo natyrisht që ka rezultuar një varfëri të lartë e cila është e vazhdueshme në Kosovë dhe edhe pse nuk ka të dhëna më të rreja të fundit”, tha ai.
 
Ndër të tjera, përfaqësuesit e Bankës Botërore në Sarajevë, të cilët edhe prezantuan raportin Bankës Botërore mbi zhvillimet ekonomike në Evropën Juglindore thonë, ekonomia në këto vende, filloi të rimëkëmbet nga recesioni i 2012-ës, duke u rritur mesatarisht në 2.2% në vitin 2013.
 
Ndryshe, ky raport është i bazuar në statistikat e Ministrisë së Financave, Doganës së Kosovës, Administratës Tatimore të Kosovës, Agjencisë së Statistikave të Kosovës(Enti i Statistikave të Kosovës). /Kosovapress/
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Leonardo DiCaprio drejt martesës? E dashura e e tij fotografohet me një unazë diamanti në dorë

Leonardo DiCaprio drejt martesës? E dashura e e tij fotografohet me një unazë diamanti në dorë