BB: Shqipëria ngadalësim
të fortë të rritjes ekonomike

BB: Shqipëria ngadalësim <br />të fortë të rritjes ekonomike
SHKUP – Shqipëria po përballet me një ngadalësim të konsiderueshëm të rritjes ekonomike si pasojë e pasigurive në rritje në Eurozonë, thuhet në Raportin e zhvillimeve ekonomike të Evropës Juglindore, i publikuar sot. Në të njëjtën situatë të vështirë ndodhen edhe pesë vende të tjera të Evropës Juglindore: Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje Hercegovina. Në periudhën afatshkurtër, thuhet në raport, disa vende duhet të ndërmarrin një konsolidim fiskal të qëndrueshëm për të ndryshuar dinamikën negative të borxhit dhe për të vendosur bazat për një rritje dinamike afatgjatë. Në të njëjtën kohë, vendet po përballen me axhenda reformash strukturore të rëndësishme për të përmirësuar produktivitetin dhe konkurrueshmërinë dhe për të reformuar tregjet e tyre të punës dhe sektorët publikë.

“Pas një rritjeje prej 2.2 përqind në vitin 2011, shenjat e para tregojnë që gjashtë vendet e Evropës Juglindore po përjetojnë një ngadalësim të konsiderueshëm në 1.1 përqind rritje për 2012, thotë Željko Bogetić, Ekonomisti kryesor për Ballkanin Perëndimor në Bankën Botërore dhe autor i numrit të dytë të serisë së raportit gjashtëmujor mbi zhvillimet ekonomike në EJL. “Kushtet e dobëta ekonomike në Eurozonë kanë ushtruar një frenim në aktivitetin ekonomik dhe mbi të ardhurat qeveritare” në këto vende.

Megjithëse ulja e rritjes ekonomike në 1% është një rënie e konsiderueshme, Bogetić theksoi se shifrat mund të keqësohen me tej, në varësi të faktit se si do të zgjidhet kriza ekonomike në Greqi.

“Është e rëndësishme të theksohet se ky parashikim bazë nënkupton një zgjidhje normale të krizës greke dhe mbajtjen nën kontroll të përhapjes më të gjerë të saj”, thekson Bogetić, duke vënë në dukje se kjo nxjerr në pah rëndësinë e forcimit të rezervave fiskale dhe financiare në të gjitha vendet.”

Me këto nivele të larta të borxhit publik dhe presionet e financimit, shumica e vendeve duhet të miratojnë programe të rëndësishme konsolidimi fiskal.

“Kjo është sfida kryesore afatshkurtër e politikave për vendet në të cilat raporti borxh-PBB është rritur shpejt,” thotë Bogetić, duke theksuar se “politikat ekonomike duhet të krijojnë një ekuilibër ndërmjet nevojës për të përmirësuar financat publike dhe për të pakësuar rreziqet makroekonomike nga njëra anë, dhe forcimit të mjedisit të politikave ekonomike për investime, rritje dhe vende pune, nga ana tjetër.”

Sektori financiar në gjashtë vendet e Evropës Juglindore mbetet në një situatë relativisht të mirë, por rreziqet janë rritur, veçanërisht për shkak të rrezikut të përhapjes më gjerë të krizës greke. Nuk është e tepruar për autoritetet të vazhdojnë t’u kërkojnë bankave që të rrisin rezervat e tyre për ta bërë sektorin më rezistent.

Politikëbërësit duhet t’i kushtojnë vëmendje situatës së vështirë sociale dhe tendencave përkatëse: vendet po përjetojnë nivelet më të larta të papunësisë dhe varfërisë në Evropë.

Rritja ka qenë e dobët dhe kryesisht pa rritje punësimi gjatë rimëkëmbjes të viteve 2010-11. Arritjet në uljen e varfërisë në periudhën e para krizës po përmbysen, dhe klasa e mesme është bërë më vulnerabël, sipas treguesve objektivë dhe subjektivë të mirëqenies.

Me pritshmëri më të ulëta të rritjes ekonomike shumë në krahasim me atë të përpara krizës dhe presioneve të larta sociale, qeveritë e këtyre vendeve duhet të adoptojnë një axhendë reformash strukturore më ambicioze dhe urgjente për rritje ekonomike dhe punësim.

Në periudhën afatgjatë, gjashtë vendet e Evropës Juglindore kanë një mundësi historike për të shfrytëzuar “trenin e konvergjencës” evropiane—një reduktim në periudhën afatgjatë të hendekut të të ardhurave për frymë me vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian (BE). Vendet e reja anëtare në BE e kanë përjetuar këtë “kapje” të fortë. I njëjti “tren kovergjence” i pret vendet e reja kandidate të BE në rajonin e EJL6, por kjo mund të ndodhë vetëm me politika dhe reformat e duhura.

“Axhenda e reformës strukturore afatgjatë e EJL6 duhet të fokusohet në tërheqjen e flukseve më të mëdha tregtare dhe financiare dhe, në veçanti, në reformimin e tregjeve të punës dhe sektorëve publikë”, thotë Jane Armitage, Drejtore në Bankën Botërore dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore.

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Lituania njofton paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën

Lituania njofton paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën