BB5- Anila Grori: Forcën për të duruar presionin e gjeja vetëm tek vetja

BB5- Anila Grori: Forcën për të duruar presionin e gjeja vetëm tek vetja
U deshën dy nominime brenda mbrëmjes së spektaklit për të nxjerrë nga shtëpia konkurrenten, Anila Grori. Ajo kishte arritur t’i shpëtonte disa nomimeve duke u kthyer kështu në një konkurrente të fortë për banorët e tjerë brenda shtëpisë më të vëzhguar. E sulmuar nga shumica e personave në shtëpi Anila shprehet se me anë të këtyre sfidave mundi të provonte veten duke u bërë edhe më e fortë. Në një rrëfim për suplementin THASH&THEM Grori tregon emocionet, përjetimet në Big Brother, eliminimin dhe përballjen me publikun. Gjithashtu ajo shprehet edhe për pëlqimet,debatet dhe situatat e ndryshme lidhur me këtë eksperiencë televizive. Ish-banorja tregon edhe për planet e saj për të ardhmen në të cilat përfishet dëshira për të nisur sa më parë një angazhim profesional.


Keni rreth një javë që jeni larguar nga shtëpia e BB5 në të cilën keni qëndruar për afërsisht dy muaj. Çfarë impresioni iu krijon rikthimi në kontakt me botën e jashtme?

Të them të drejtën u gëzova për faktin që më në fund do të shijoja sërish lirinë. Fillimisht kur je brenda nuk e kupton efektin që ka Big Brother, por në momentin që je jashtë dhe përjeton përkrahjen e fansave e sheh që ia ka vlejtur si eksperiencë. Gjithashtu u çlirova nga presioni dhe stresi në të cilin me vendosnin banorët e tjerë të shtëpisë. Por ndjesia kryesore ishte gëzimi për t’u ritakuar dhe çmallur me familjarët, të cilët më kishin munguar shumë.

Cilat mendoni se janë arsyet që banorët e tjerë të shtëpisë iu sulmonin dhe iu vinin në qendër të debateve?

Ata mundoheshin të gjenin pikat e dobëta dhe pikërisht aty të sulmonin. Gjithashtu banorët kishin strategji të ngjashme. Ata ecnin me parimin “Këtu nuk ka miq” madje disa prej tyre anët pozitive që mund të tregoje mundoheshin t’i kthenin në negative.Në të gjitha debatet ku jam përfshirë kanë qenë në lidhje me mua dhe jo që të ndërhyrja apo të debatoja për çështje të tjera.

Ju keni kaluar me sukses disa nominime madje edhe mbrëmjen ku u eliminuat e kaluat një të tillë. Çfarë mendoni se iu penalizoi në nominimin e dytë?

Mendoj se më penalizoi mënyra sesi ishte u përzgjodhën banorët nga “imunët”. Unë e dija shumë mirë që nuk kisha për t’u zgjedhur nga asnjëri prej tyre kështu që e prisja nominimin e dytë.

Duke u kthyer tek eksperienca brenda shtëpisë si do t’a vlerësonit kohën e kaluar në të ?

Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme, edhe pse qëndrimi deri diku ka qenë i vështirë për shkak të presionit konstant që konkurrentët e tjerë ushtronin. Megjithatë unë provova veten dhe arrita të kuptoj sa e fortë jam për të përballuar situatat e vështira dhe të them të drejtën nuk e prisja t’ia dilja.

Cila mendoni se ka qenë pika juaj më e fortë?

Forcën për të vazhduar e gjeja tek vetja si dhe tek e drejta ime. Mendoj se kjo ishte shtysa dhe pika më e fortë e imja.

Duke u kthyer tek banorët, me cilët keni patur më shumë lidhje dhe mendoni të ruani shoqërinë edhe pas përfundimit të Big Brother?

Padyshim që me Gracianon. Ai më ka qëndruar pranë gjatë gjithë kohës. Madje dhe në momentin që dola ai më shoqëroi dhe patëm mundësi të shkëmbenin këshillat e fundit me njeri-tjetrin.

Po përsa i përket konflikteve?

Thuasje me të gjithë por ajo që më kishte shpallur luftë ishte Klaudja, megjithatë edhe Liami nuk linte rast pa më sulmuar.

Është komentuar gjatë marrëdhënia juaj me Metin. Ka patur me të vërtetë pëlqim midis jush?

E prisja këtë pyetje, e vetmja gjë që mund të them është se për Metin kam patur vlerësim si njeri por kohët e fundit më ka zhgënjyer me sjelljet e tij. Nuk ka patur pëlqim midis nesh.

Shpeshherë banoret femra iu kanë “akuzuar” se përpiqeshit të provokonit meshkujt e shtëpisë kryesisht me anë të kërcimit tuaj?

Nuk kam kërcyer asnjëherë me atë lloj tendence, pasi ashtu kërcej edhe në jetën e përditshme. Kërcimi është një pjesë mjaft e rëndësishme e jetës sime dhe në qoftë se do të doja të provokoja dikë do të përdorja shumë mënyra të tjera.

Në një intervistë për suplementin tonë Ermira, ish-banorja e cila u largua para dy javësh, është shprehur për ju se ishit një femër që shkelte mbi veten dhe që bëheni vegël e të tjerëve në çdo moment. Si do e komentonit këtë deklaratë?

Absolutisht nuk kam shkelur mbi veten si dhe kam ditur si të mbrohem. Aty askush nuk ka të drejtë dhe mundësi të tallet me mua apo me dikë tjetër brenda shtëpisë. Ata nuk janë Zoti.

Po familjarët si e pritën daljen e tuaj?

Me mënyrën e lojës që kisha zgjedhur e dinin që nuk mund të shkoja shumë gjatë. Ishin të lumtur që dola dhe nuk isha më në atë presion. Megjithatë nuk e prisini të dilja atë mbrëmje.

Si e vlerësuan qëndrimin tuaj në shtëpi?

Nuk kanë patur asnjë koment negativ për ndonjë sjellje timen në shtëpi, thjesht shqetësoheshin kur më shihnin të stresuar.

Jeni shprehur se nuk keni patur kontakte me babain tuaj. E ndjeni mungesën e tij?

Secili prej nesh ka vazhduar jetën e tij dhe nuk kam patur kontakte me të. Sa i përket mallit nuk e ndjerë pasi jam rritur e rrethuar nga shumë dashuri, të cilën e kam gjetur tek njerëzit e mamasë. Ata më kanë dhënë gjithçka kam patur nevojë dhe për këtë i falenderoj shumë.

Përveç studimeve master që jeni duke ndjekur aktualisht keni thënë se dëshironi të vazhdoni një fakultet të dytë për psikologji. Pse pikërisht kjo zgjedhje?

Më ka pëlqyer gjithnjë psikologjia si dhe kam qenë mirë në të. Është një preferencë e imja të cilën pse jo e mendoj edhe si profesion.

Siç thatë edhe më sipër kërcimi është një pjesë e rëndësishme e jetës tuaj pasi keni patur lidhje me të që në moshë të vogël. Mendoni t’i riktheheni pasionit të vjetër?

Tashmë kam zgjedhur një tjetër profil për t’u formuar. Kërcimi do të mbetet gjithmonë pasioni im por e shoh vetëm në kuadrin e një hobi.

Cilat janë planet tuaja tashmë që jeni jashtë? Si do të vazhdojë jeta e Anilës dhe sa do të ndikojë Big Brother në zgjedhjet tuaja?

Shpresoj që kjo eksperiencë të më ndihmojë përsa i përket fushës së televizionit meqë nuk e arrita qëllimin final. Gjithsesi jam e hapur për çdo ofertë pune.

Cilin shihni si fitues të Big Brother tashmë që nuk jeni më konkurrente?

Nuk mund të jap një emër të caktuar pasi varet nga sjellja e banorëve dhe mënyrat sesi do të zhvillohen ngjarjet në shtëpi. Megjithatë do kisha dëshirë të ishte fitues Graciano.

Në qoftë së do t’iu jepej një shans i dytë për këtë eksperiencë do të ndryshonit ndonjë sjellje?

Nëse do të kthehesha sërish nuk dotë ndryshoja as një presje nga ato që kam thënë dhe kam bërë.Unë kisha hyrë me një qëllim të mbarë, për t’i dhuruar nënës sime një banesë dhe për këtë arsye përdora vetëm mjete të mbara dhe të drejta.

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Akuzat ndaj kryeministrit Rama dhe familjarëve të tij, Kulluri për deklaratën e Ivi Kasos: PD ka hyrë në një cikël idiotësie dhe imoraliteti

Akuzat ndaj kryeministrit Rama dhe familjarëve të tij, Kulluri për deklaratën e Ivi Kasos: PD ka hyrë në një cikël idiotësie dhe imoraliteti