BB5-Jonida Alickolli: Djemtë e BB5 , aspak tërheqës

BB5-Jonida Alickolli: Djemtë e BB5 , aspak tërheqës
E dëgjojmë shpesh në Top Albania Radio në emisionin me preferenca muzikore “Një këngë për ty”. Ish-banorja e edicionit të parë të Big Brother Albania, Jonida Alickolli është prej 4 vitesh pjesë e kësaj radioje, dhe kjo sipas saj falë pjesëmarrjes në BB . Në një intervistë për Shqiptarja.com Jonida flet për eksperiencën e saj në BB, duke pohuar se falë tij, realizoi ëndrrën saj për të punuar si folëse dhe prezantuese emisionesh. Jonida komenton edhe banorët e BB5, që sipas saj nuk po përcjellin ndonjë mesazh të duhur për publikun. “Nuk është e thënë që duhet të ngresh zërin gjithmonë për të treguar që je edhe ti aty dhe të debatosh edhe për bishtin e dhelprës, e lagu apo s'e lagu”, shprehet Jonida. Duke bërë një paralelizëm mes BB1 dhe BB5, ajo thotë se çdo edicion ka të veçantat e tij, por banorët e edicionit të parë sipas saj, kanë qënë më të kulturar në sjellje e diskutime. Sa i përket djemëve të shtëpisë, ajo thotë se ata nuk janë aspak tërheqës pasi nuk transmetojnë gjë kur flasin.

Jonida e ndiqni BB5?

Nuk i kam ndjekur shumë në fakt. Duke qënë se gjatë ditës jam në punë nuk kam mundësi ti shoh por përpiqem të ndjek përmbledhjet dhe sigurisht spektaklin e së shtunës.

Si ju duken banorët e rinj?

Disa prej tyre më duket se kanë ngatërruar rrugën dhe kanë hyrë gabimisht aty. Deri tani nuk kam parë ndonjë diskutim për të qënë. Nuk është e thënë që duhet të ngresh zërin gjithmonë për të treguar që je edhe ti aty dhe të debatosh edhe për bishtin e dhelprës, e lagu apo s'e lagu.

Njihni ndonjërin prej tyre personalisht?

Njoh pak Ermalin nga miq të përbashkët. Pak Klaudian dhe do të doja të kisha njohur edhe Gentën por nuk e njoh. (qesh)

Si ju duket ai brenda dhe jashtë shtëpisë?

E njoh shumë pak por vazhdoj të kem të njëjtin mendim për të. Është djalë i mirë por sipërfaqësor dhe i pëlqen pak vetja. Nuk ka as sens humori që më tërheq tek meshkujt, si rrjedhojë nuk më duket as i bukur. (qesh)

Si ju duken djemtë e shtëpisë, pasi e kanë cilësuar si një nga edicionet me meshkujt më të bukur?

Sado të bukur të jenë nëse nuk më transmetojnë asgjë, në momentin që flasin nuk më duken më të bukur. Më i bukuri më duket Genta. (meqë tha një ditë jam si burrë).

Po vajzat ?

Vajzat me duken më kinge se djemtë, (jo të gjitha kuptohet).

Keni ndonjë banorë të preferuar?

Më pëlqen qetësia e Edgarit, batutat e Gentës, shakatë e Liamit dhe mosha e Françeskës që shumë herë i ka bërë të kuptojnë që është më e rritur se të tjerët.

Po ta krahasonit me të BB1, si ju duket ky edicion i pestë?

Çdo edicion ka pasur të veçantat e tij. Por mendoj që i pari mbetet i parë në të gjitha kuptimet. Kemi qënë më të kulturuar, në sjellje dhe diskutime.

Sa e vështirë është bashkëjetesa brenda shtëpisë së Big Brother?

Varet nga karakteri i njeriut. Unë nuk e kam pasur të vështirë, u ambientova shumë shpejt dhe ja kam kaluar shumë mirë brenda shtëpisë.

Si ju duken lidhjet brenda shtëpisë ?

Nuk dua ti quaj as lidhje, nuk shoh ndjenjë në horizont.

Sipas jush janë reale lidhjet brenda BB?

Sa reale janë duken kur dalin nga shtëpia.

E kujtoni eksperiencën tuaj në BB?

Sigurisht që e kujtoj, falë kësaj eksperience unë jam prej 4 vitesh prezantuese në Top Albania Radio.

Çfarë mbani mend ?

Batutat e Polit, historitë e Najadës, bisedat dhe shakatë e këndshme me Astritin, Olsin, Arbrin. Diskutimet për librat me Shkëlqimin. Muhabete "vajzash" me Rominën. Provat e javës dhe ditëlindjet e Arbrit dhe Olsit. Ka shumë për të kujtuar por u mundova ti përmbledh me pak fjalë.

Kush ka qënë miku juaj më i mirë brenda shtëpsië?

Me të gjithë kam pasur dhe kam marrëdhënie shumë të mira por me Polin kam ende një raport shumë të veçantë miqësie dhe afeksioni.

Si ndikoi BB në jetën tuaj?

Sigurisht që për mirë. Nuk e dija çfarë do të ndodhte pasi të dilja prej shtëpisë më të famshme ne Shqipëri, sic thotë edhe Arbana. Unë tashmë jam pjesë e stafit të Top Medias dhe është një nga dëshirat që mu realizua falë " Vëllait të Madh". (qesh)

Çfarë ka të veçantë ky reality shou sipas jush?

Tipa dhe karaktere të ndryshëm që jetojnë në një shtëpi, realitet që nxjerr më të mirat ose jo tek perzonazhet. Famë e menjëhershme por që zbehet gradualisht dhe tek secili personazh publiku sheh diçka të tijën ose të njerëzve që e rrethojnë. Gjithashtu të jep mundësinë të njohësh edhe veten. Të kuptosh të metat dhe cilësitë dhe me cilët tipe njerëzish ti nuk do ishe berë kurrë i afërt dhe me cilët prej tyre do të doje ti kishe njohur më parë në jetë.

Keni dëgjuar thashetheme për veten pasi dolët nga BB?

Asgjë të frikshme. Kam dëgjuar që kam hapur lokal. Mirë do ishte por nuk është e vërtetë. (qesh)

Përveç angazhimit në Top Radio me çfarë merreni tjetër?

Pasi dal nga studiot e Top Albania Radios më gjeni tek një kompani që merret me reklama dhe marketing.

Kemi të reja nga jeta juaj personale?

Gjendjen civile vazhdoj ta kem beqare por nuk jam vetëm. (qesh)
(xh.k/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Barcelona arrin marrëveshjen me Olmon, i bën ofertën e tretë Leipzigut

Barcelona arrin marrëveshjen me Olmon, i bën ofertën e tretë Leipzigut