BBC po përgatitet t’i kërkojë falje drejtpërdrejt presidentit amerikan Donald Trump për të shmangur kërcënimin e tij me një padi prej 1 miliard dollarësh.
Transmetuesi publik britanik po punon për të dërguar një kërkim-falje personale, pasi pranoi se kishte lënë përshtypjen se Trump kishte bërë një “thirrje të drejtpërdrejtë për veprime të dhunshme” në një episod të programit Panorama vitin e kaluar. Më vonë doli në pah se dy pjesë të fjalimit të tij, mbajtur para trazirave në Kapitol më 6 janar 2021, ishin të ndërthurura gabimisht.
Kryetari i BBC-së, Samir Shah, i tha ministrave të hënën se “BBC-ja do të donte të kërkonte falje për atë gabim gjykimi”.
Një burim pranë transmetuesit bëri të ditur se pritet që ky mesazh t’i përcillet personalisht Trumpit, i cili i ka dhënë BBC-së afat deri nesër për t’iu përgjigjur letrës ligjore që përmend “dëmin dërrmues financiar dhe të reputacionit” të shkaktuar nga programi.
Shah njoftoi gjithashtu se ka nisur një kërkim të plotë për pasardhësin e Tim Davie, drejtorit të përgjithshëm që dha dorëheqjen pas incidentit. Ai tha se bordi i BBC-së po punon “24 orë në ditë, 7 ditë në javë” për të gjetur drejtuesin e duhur që do të ndihmojë korporatën të përballojë një nga krizat më të mëdha në vitet e fundit.
Zyrtarë të lartë të BBC-së thanë se procesi i emërimit të drejtorit të ri mund të zgjasë me muaj dhe se kandidati i ri mund të fillojë punën në shtator, nëse zgjidhet dikush nga jashtë.
Shumica e kandidatëve të favorizuar janë gra dhe nëse njëra prej tyre do të zgjidhet, do të jetë gruaja e parë në 103 vjet histori të BBC-së. Ndër kandidatët përmenden Jay Hunt (ekzekutive e Apple dhe ish-redaktore e BBC News), Charlotte Moore (ish-drejtoreshë përmbajtjeje e BBC-së), Alexandra Mahon (ish-drejtoreshë e Channel 4), dhe Jane Turton (drejtoreshë ekzekutive e All3Media).
Emra të tjerë të përmendur janë George Osborne, ish-kancelar dhe ish-redaktor i Evening Standard, Carolyn McCall (CEO e ITV), dhe Kevin Bakhurst, aktualisht drejtor i RTÉ në Irlandë.
Komente











