Në një komunikatë të përbashkët të BDI dhe VMRO-DPMNE-së dy partitë njoftojnë se kanë rënë dakord për formimin e qeverisë së re.

Në vazhdim sjellim të plotë komunikatën e përbashkët të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së.

“VMRO-DPMNE dhe BDI si parti që fituan besimin e shumicës së qytetarëve, vendosën të formojnë shumicën e re parlamentare.

Partitë, konform përcaktimeve programore dhe premtimeve të veta elektorale, vendosën që përparësi kryesore të veprimit të ardhshëm qeverisës, në periudhën që pason, të jenë integrimet euroatlantike si dhe zhvillimi ekonomik i vendit i shprehur përmes reformave dhe projekteve për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe sociale, vendeve të reja të punës dhe investimeve.

Prandaj, do të formohet edhe një grup i përbashkët me karakter pune nga të dy partitë për ndihmë, mbështetje dhe vlerësim të punës së qeverisë dhe ministrive dikasteriale të përfshira në procesin integrues euroatlantik. Dikasteret ekonomike në qeveri, këshilli dhe institucionet përkatëse qeveritare do të punojnë me dinamikë të sforcuar për realizmin e qëllimeve të përcaktuara ekonomike.

Në periudhën që pason, konform postulateve programore dhe të përcaktuara, sidomos deri në samitin e NATO-s dhe Këshillit të Ministrave të BE-së, përfaqësuesit e këtij grupi të punës rregullisht do ti informojnë partitë për rezultatet e arritura dhe hapat e bërë, për masat dhe reformat e realizuara, në bazë të së cilës do të vendosen hapat e mëtejmë dhe veprimet e partive të cilat formojnë qeverinë.

Grupet negociatore vazhdojnë të punojnë për harmonizimit e parimeve mbi të cilat do të funksionojnë partnerët në qeveri si dhe për ndarjen e resorëve.

Partitë me rastin e arritjes së marrëveshjes për koalicionim patën parasysh para së gjithash interesin e qytetarëve për këto çështje si dhe kontekstin e kohës  dhe momentin në të cilin ndodhet Republika e Maqedonisë, rajoni dhe më gjerë.”, thuhet në komunikatë,

ORA 11:15 - BDI mbrëmë ka vendosur që të jetë pjesë e Qeverisë me VMRO-DPMNE, duke hequr dorë nga disa kërkesat e saj.

Kjo parti ka planifikuar një skenar që parasheh arsyetimin e qëndrimeve apo vendimeve të saj, që nënkuptojnë heqje dorë nga çështjet e deklaruara më parë. 
Sipas këtij skenari, BDI sot do të jetë e pranishme në konstituimin e përbërjes së re parlamentare dhe zgjedhjen e kryetarit të ri të Parlamentit, i cili do të jetë nga VMRO-DPMNE, Trajko Veljanovski.

Ndërsa ditën e hënë, në seancën e inaugurimit të presidentit, deputetët e kësaj partie do të braktisin sallën, me paraqitjen e presidentit të sapozgjedhur Gjorgje Ivanov.

Ata në këtë mënyrë do të arsyetojnë vendimin e tyre se nuk pranojnë legjitimitetin e Ivanovit, ndërsa nga ana tjetër do të akuzojnë partinë opozitare PDSH-në, në rast se ajo do të mbetet në sallë.

Këto janë veprimet e kësaj partie e cila ka hequr dorë nga kërkesa për të pasur postin e kryetarit të Parlamentit, që ishte promovuar gjatë fushatës dhe pas saj.

VMRO-DPMNE ka paralajmëruar edhe disa nga këto skenare, duke hequr dorë nga këmbëngulja që BDI të njoh legjitimitetin e Ivanovit.

Një zyrtar i lartë i VMRO-DPMNE për gazetën “Dnevnik” ka zbardhur gjithë skenaret.

“BDI të gjejë formë në të ardhmen e afërt, që drejtpërdrejt ose në forma tjera të njoh legjitimitetin e Ivanovit. Nëse nuk paraqiten në seancën e inaugurimit kjo do të jetë një minus i madh për ta. Me këtë ata do të dobësojnë pozicionet e tyre në negociata për formimin e Qeverisë së re, për shkak se ne si parti me këto veprime të BDI-së do të pësojmë dëm”, theksoi zyrtari i VMRO-DPMNE.

Por jozyrtarisht mësohet se BDI pjesërisht sot do të deklarohet vetëm për arsyetimin e pjesëmarrjes në seancën konstituive të Parlamentit të dalur nga zgjedhjet e 27 prillit.  Ndërsa, më pas do të deklaroj se do të vazhdojë bisedimet me VMRO-DPMNE për formimin e koalicionit qeverisës.

ORA 08:15 - BDI ka hequr dorë nga kërkesa për kryetarin e Parlamentit dhe se do të vazhdojë bisedimet për formimin e koalicionit qeverisës me VMRO-DPMNE. Ky është një nga vendimet e kryesisë qendrore të BDI-së, ku burime partiake i kanë raportuar disa portaleve se nesër deputetët e kësaj partie do të marrin pjesë në seancën konstituive të përbërjes së re parlamentare.

Ndërsa njëri nga vendimet është edhe zgjidhja për çështjen e presidentit, që ishte njëra nga pengesat që dyja partitë të formojnë koalicionin qeverisës. BDI pritet që edhe për këtë çështje të vendos në favor të VMRO-DPMNE, duke njohur presidentin Gjorgje Ivanov, por me tezën se ai është legal dhe jolegjitim për shqiptarët që nuk e votuan.

Mediat kanë raportuar se kushti i vetëm është që vendi të anëtarësohet në NATO deri në muajin shtator dhe në rast se nuk ndodhë kjo, prap nuk ka vendim.

Zyrtarë të BDI ditëve të fundit kanë paralajmëruar se nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre për kryetar të Parlamentit si dhe nuk do të njohin Ivanovin. Por gjithashtu ata kanë theksuar se do të kërkojnë plotësimin e programit të tyre sa i përket avancimit të pozitës së shqiptarëve, përdorimit më të gjërë të gjuhës shqipe dhe çështje të tjera të lidhura me Marrëveshjen e Ohrit. (INA)