BRUKSEL, 20 tetor /ATSH-AFP/ - Bashkimi Evropian është në rrugën e duhur për të arritur, madje edhe tejkaluar, objektivin e tij për reduktimin e gazrave me efekt serrë në masën 20 për qind deri në vitin 2020, përshëndeti sot komisioneri evropian i ngarkuar për Energjinë dhe Veprimin Klimatik, Miguel Arias Canete.
Mes vitit 1990 dhe 2014, BE-ja ka reduktuar emetimet e saj të gazrave me 23 për qind, sipas shifrave të nxjerra nga raporti i Agjencisë Evropiane për Mjedisin të publikuar sot, ndërkohë që ekonomia evropiane, për të njejtën periudhë, është rritur me 46 për qind.
"Ne kemi treguar se mbrojtja e klimës dhe rritja ekonomike mund të ecin me të njëjtin hap", theksoi Canete.
Vlerësimet paraprake për vitin 2014 tregojnë një rënie me katër për qind të gazrave me efekt serrë në raport me vititn 2013./










