BE e shqetësuar për situatën dramatike në Maqedoni

 /ATSH-AFP/ - Bashkimi Evropian u shpreh shumë i shqetësuar për konfliktin e armatosur në Maqedoni, në kufi me Kosovën, që shkaktoi 22 të vdekur në radhët e policisë dhe një grupi të armatosur.
"Çdo përshkallëzim i mëtejshëm i dhunës duhet të shmanget, në interes të stabilitetit të përgjithshëm në vend", deklaroi komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, në një komunikatë dje në mbrëmje.

Duke u shprehur shumë i shqetësuar nga situata e krijuar në rajonin e Kumanovës, në veri të Maqedonisë, komisioneri evropian u kërkoi autoriteteve dhe të gjithë drejtuesve politikë dhe komunitarë të bashkëpunojnë për vendosjen e qetësisë dhe të kryejnë një hetim të plotë për ngjarjet me objektivitet dhe transparencë në bazë të ligjit.

"Përleshjet e armatosura ndodhën kur policia rrethoi një lagje ku ishin vendosur anëtarë të një grupi të ardhur nga një vend fqinj me qëllimin për të kryer një sulm terrorist", theksuan dje autoritetet maqedonase.
Sot, një zëdhënës i policsë konfirmoi se anëtarët e grupit të armatosur bënin pjesë një një grup terrorist prej 30 personash. Të shtënat kanë vazhduar edhe sot.

Brukseli ka shprehur gjithashtu shqetësim përsa i përket situatës politike në Maqedoni, ku opozita e majtë akuzon pushtetin konservator për korrupsion dhe përgjimin e 20 000 personave.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale