Bashkimi Evropian i ka vendosur një gjobë prej 232 milionë dollarësh gjigantit kinez të tregtisë elektronike “Temu” për ofrimin e produkteve të paligjshme në platformën e tij.
“Temu’ dështoi të identifikojë, analizojë dhe vlerësojë me kujdes rreziqet sistemike të produkteve të paligjshme që ofrohen në platformën e tij dhe dëmin që ato shkaktojnë për konsumatorët në Bashkimin Evropian”, deklaroi Komisioni Evropian.
Një hetim i kryer nga Komisioni, i cili përfshinte edhe blerje të fshehta testuese, arriti në përfundimin se shumë produkte nuk i kalonin testet e sigurisë.
"Temu respekton objektivat e Aktit të Shërbimeve Dixhitale dhe nevojën për rregulla të qarta dhe të qëndrueshme në të gjithë ekonominë dixhitale. Megjithatë, ne nuk pajtohemi me vendimin e Komisionit Evropian dhe e konsiderojmë gjobën si joproporcionale", tha Temu në një deklaratë.
‘Temu’ ka afat deri në gusht për t’i paraqitur Komisionit një plan se si do të adresojë shkeljet, shkruan Reuters.
Nëse nuk respekton ligjin e BE-së në të ardhmen, Komisioni mund të vendosë edhe penalitete të tjera financiare përveç gjobës prej 232 milionë dollarësh.
Sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale të BE-së (DSA), platformat shumë të mëdha online i nënshtrohen mbikëqyrjes së rreptë.
Komente








