Shqipëria ka marrë dritën jeshile nga Bashkimi Europian për mbylljen e përkohshme të negociatave për Kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe Politika Industriale”.  Lajmi është konfirmuar nga  Agjencia për Media dhe Informim sipas së cilës, komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të BE-së (COREPER) ka miratuar zhvillimin e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri–BE, e cila do të mbahet më 13 tetor në Luksemburg, ku pritet të formalizohet ky hap në procesin e integrimit europian.

Kryeministri Edi Rama e ka përshëndetur vendimin përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar se Shqipëria po avancon drejt objektivit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Shqipëria mbyll Kapitullin e Katërt,  nis numërimi mprapsht i kohës drejt objektivit historik. Drita jeshile nga BE për mbylljen e negociatave të Kapitullit 20 forcon perspektivën për investime, inovacion, konkurrueshmëri dhe punësim”, shkroi kryeministri.

Kapitulli 20 përqendrohet te politikat për zhvillimin e sipërmarrjes dhe industrisë, me synim krijimin e një mjedisi më konkurrues, inovativ dhe të qëndrueshëm për biznesin. Ai përfshin mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përmirësimin e klimës së investimeve dhe forcimin e kapaciteteve të ekonomisë shqiptare për t'u integruar në Tregun e Vetëm Europian.

Pjesë e këtij kapitulli janë edhe politikat për digjitalizimin, tranzicionin e gjelbër, zhvillimin e aftësive sipërmarrëse dhe rritjen e produktivitetit të sektorit privat.

Me formalizimin e mbylljes më 13 tetor në Luksemburg, Kapitulli 20 do të bëhet kapitulli i katërt që Shqipëria mbyll përkohësisht brenda tre muajve, pas Kapitullit 25 për Shkencën dhe Kërkimin, Kapitullit 26 për Arsimin dhe Kulturën dhe Kapitullit 30 për Marrëdhëniet me Jashtë.

Lajmi në përditësim