TIRANE- Ndërkombëtarët mbështesin qeverinë përballë opozitës së drejtuar nga Berisha, teksa nuk ngurrojnë të hedhin “silurë” në drejtim të protestës së djeshme, pavarësisht komenteve të munguara. Kështu, në të njëjtën kohë që opozita po zhvillonte protestën e saj para Kryeministrisë për të kërkuar largimin e Edi Ramës, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka siguruar drejtorin e përgjithshëm për zgjerimin në BE, Christian Danielsson për “vendosmërinë e luftës ndaj trafikut të drogës”.

Ministria e Brendshme ishte stacioni i radhës i takimeve në axhendën e Danielsson. Për drejtorin e Zgjerimit në KE, takimi ishte mjaft i rëndësishëm duke patur parasysh se javën që vjen dorëzohet raporti për Shqipërinë. “Në dhjetorin e kaluar shtetet anëtare bënë të qartë se e ardhmja europiane e Shqipërisë do të varet nga aftësia për të siguruar një shtet të së drejtës që është i fortë, dhe rezultate të cilat të jenë të forta por edhe të qëndrueshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe ky do të jetë edhe fokusi i raportit që do të dalë javën që vjen. BE vazhdon të mbetet mbështetësi juaj përsa i përket aspiratave të Shqipërisë për të vazhduar rrugëtim e saj drejt BE.

Prandaj suksesi për këto përpjekje do të varet shumë nga dëshira për të lënë çdo gjë tjetër mënjanë. Për të lënë çdo situatë tjetër politike, për të siguruar që e ardhmja europiane e Shqipërisë është objektiv kombëtar”, u shpreh Danielsson. Ai foli në detaje për raportin që do të dorëzojë një javë më pas në lidhje me progresin e bërë nga Shqipëria në 6 muajt e fundit. “Ky takim ka qenë i rëndësishëm duke marrë parasysh raportin që ne do dorëzojmë javën që vjen. Natyrisht, kjo ka të bëjë me vazhdimësinë apo qëndrueshmërinë e luftës që është bërë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe reformën në gjyqësor. Dhe kjo do të jetë edhe baza e diskutimeve që do të bëhet mes vendeve anëtare në qershor, përsa i përket çështjes së statusit kandidat për Shqipërinë.

Më lejoni që të ritheksoj se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë kërkesat thelbësore për progresin e Shqipërisë për integrimin në BE”, tha Danielsson. I pyetur për protestën e opozitës, zyrtari i lartë i BE preferoi të mos bënte asnjë koment. Ai u shpreh se reformat dhe plotësimi i kritereve të mos shikohen vetëm si kushte për t’u plotësuar për statusin e Shqipërisë, por si nevoja të vetë shoqërisë dhe qytetarëve shqiptar për një shtet të së drejtës.

Ndërsa ministri i Brendshëm tha se qeveria shqiptare ka ndërmarrë reformat e duhura dhe se në vlerësimin e saj ka luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. “E informova zyrtarin për rezultatet e policisë që nga momenti që kemi marrë detyrën, rezultate që të japin motivin për të shpresuar se vendi po shkon në rrugën e duhur e se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është po ashtu në rrugën e duhur. Dhe ne jemi duke bërë maksimumin për të garantuar maksimumin e sigurisë që kërkojnë qytetarët shqiptarë”, deklaroi Tahiri.

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)