Drejtuesit e institucioneve të Bashkimit Europian kanë përkujtuar viktimat e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, duke dënuar terrorizmin dhe antisemitizmin, ndërsa kanë përsëritur angazhimin për paqe në Lindjen e Mesme.
Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, tha se plagët e 7 tetorit mbeten ende të hapura dhe bëri thirrje për forcimin e luftës kundër antisemitizmit.
“Parlamenti Europian kujton viktimat e asaj dite tmerri, duke rinovuar angazhimin për t’i dhënë fund terrorizmit, për të gjetur një rrugë drejt paqes dhe për të dyfishuar përpjekjet për të çrrënjosur të keqen e vjetër të antisemitizmit”, tha Metsola.
Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, tha se asgjë nuk mund ta justifikojë terrorin, ndërsa rikonfirmoi mbështetjen për të drejtën e Izraelit për të ekzistuar në paqe dhe siguri.
“Asgjë nuk mund ta justifikojë një terror të tillë, i cili nuk duhet të përsëritet kurrë. Zgjidhja me dy shtete mbetet e vetmja rrugë e mundshme për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, tha Costa.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, e cilësoi sulmin e 7 tetorit një “akt barbar terrori” dhe shprehu solidaritet me viktimat dhe familjet e tyre.
“Sot qëndrojmë përkrah Izraelit duke kujtuar çdo jetë të marrë dhe të shkatërruar nga terroristët e Hamasit. Mendimet tona janë me viktimat, të mbijetuarit, familjet e tyre dhe të gjithë ata që vazhdojnë të mbajnë dhimbjen e asaj dite të tmerrshme”, tha Kallas.
Lajmi kryesor:
Izraeli përkujton 3-vjetorin e sulmit nga Hamasi/ IDF: Kemi goditur 100 mijë objektiva, Gaza mes rrënojave! BE: Asgjë nuk e justifikon terrorin! Rama: Pranë jush







