Në përfundim të një takimi të zhvilluar në Bruksel, ministrat e Financave të vendeve anëtare kanë publikuar klasifikimin e vendeve, mes të cilave disa janë ishuj, ishuj-shtet dhe të tjera vende, nga Amerika Latine, në Arabi dhe Azinë jug-lindore.
Sa u takon ishujve, ato janë: Samoa, Samoa Amerikane, Barbados, Marshall, Shën Luçia, Trinidad dhe Tobago, Grenada, Guami, Palau dhe Makao. Ndërsa shtetet janë: Korea e Jugut, Mongolia, Namibia, Panamaja, Tunizia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini.
Sipas krerëve të financave europiane, vendet në fjalë nuk po bëjnë sa duhet për të goditur skemat e depozitimit të parave në llogaritë “offshore”.
Mbretëria e Bashkuar duket se ishte me fat, pasi lista ka lënë jashtë disa ishuj në vartësi të saj, si Kajman dhe Bermuda, që kanë qenë në listën e mëparshme të zezë të publikuar në qershor 2015.
Lista e fundit është hartuar nga Këshilli Europian për Kodin e Sjelljes, një grup i përbërë nga ministrat e Financave, që ka hartuar edhe një “listë gri”, ku përfshihen 47 vende të tjera, ligjet e të cilave nuk janë në përputhje me legjislacionin e BE-së.
Vendeve në fjalë do t’u duhet të miratojnë ligjet europiane brenda vitit 2018, ose 2019 për ato të zhvilluara, për të shmangur përfshirjen në listën kryesore.
G.F.









