Çështja e kufijve mes Shqipërisë dhe Kosovës me sa duket është bërë objekt diskutimi mes zyrtarëve të BE dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, gjatë takimeve të zhvilluara në Bruksel. Këtë e bëri të qartë dhe Presidenti i Këshillit të BE, Herman Van Rompuy, që deklaroi se kishte marrë garanci nga kryeministri Rama për respektimin e kufijve në rajon. “Ne prekëm dhe kontributin e Shqipërisë sa i takon stabilitetit në rajon.
E mirëprita faktin që kryeministri theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të investohet për kufij të sigurtë në rajon dhe gjithashtu vlerësoj synimin e tij për t’i thelluar më tej marrëdhëniet me të gjithë vendet fqinje, duke ndërtuar dhe mbi rrjetin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë”, tha Van Rompuy. Ku shqetësim nga ana e BE ka ardhur vetëm katër ditë pas vizitës së kryeministrit Rama në Kosovë, i cili bëri deklarata të forta për bashkimin doganor, arsimor dhe bashkëqeverisjen strategjike mes dy vendeve.
Kreu i qeverisë Rama nënvizoi se “do punojmë shumë të gjithë së bashku me shqiptarët në Kosovë, me serbët, me malazezët, maqedonasit, boshnjakët, me kroatët si anëtarë të rinj, me grekët si anëtarë të vjetër të BR në rajon, për të forcuar bashkëpunimin dhe për t’i dhënë më shumë kuptimi të ri të këtij momentumi të ri paqeje duke e transformuar në një zhvillim ekonomik, social e kulturor”.
Ashtu sikurse Presidenti i KE, dhe Presidenti i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso vlerësoi progresin e shënuar nga Shqipëria për ligjet, zgjedhjet, por duke nënvizuar se duhet ende punë për marrjen e statusit kandidat brenda vitit. “Inkurajoj Qeverinë e re por dhe opozitën që të ndërtojnë mbi zhvillimet e fundit pozitive e të punojnë me konstruktivitet për të garantuar se vendi do prodhojë rezultate.
Ka një fushë që kërkon vëmendje të veçantë, respektimi i shtetit të së drejtës përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Barroso. Nga ana e tij, kreu i qeverisë Rama ka vlerësuar përpjekjet e KE e të Sequi për për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por përsëriti e angazhimin e qeverisë së re në rrugën drejt BE. Barroso e Rama s’kanë përjashtuar mundësinë e marrjes së statusit e vendit kandidat në dhjetor. “Unë mendoj se Shqipëria mund të arrijë, në parim, statusin kandidat këtë vit. Nuk kemi kohë për të humbur dhe javët e ardhshme janë kritike nëse duam të arrijmë qëllimin e marrjes së statusit kandidat nga Shqipëria brenda këtij viti. Pra, në përgjithësi Shqipëria mund të marrë statusin në muajin dhjetor. E ardhmja e Shqipërisë është në BE. Shqipëria është e përkushtuar për të përmbushur statusin e vendit kandidat. Me kryeministrin Rama diskutuam të ardhmen e Shqipërisë në BE”, tha Barroso. Ai vlerësoi mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 23 Qershorit në Shqipëri. “Zgjedhjet shkuan mirë, shkuan në mënyrën më të mirë të mundshme. Është i nevojshëm një bashkëpunim i përbashkët, në disa çështje kryesore: Bashkëpunimi mes opozitës dhe mazhorancës”, tha Barroso. “Ka çështje që mbeten, por ne nuk po e fillojmë nga zero. Procesi nuk nis me këtë Qeveri por ka nisur shumë kohë më parë, dhe qeveritë e mëparshme kanë punuar aq sa mundeshin. Ne duhet të bëjmë punën tonë. Qëllimi është i arritshëm e ne kemi besim se do ta arrijmë qëllimin. Besojmë se duhet të punojmë shumë fort për qëllimin e çeljes së negociatave”, tha Rama.
Shkrimi u publikua sot (18.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)