TIRANË - Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, në marrëveshje me Ambasadorët (Shefat e Misioneve) të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ka reaguar pas deklaratës së zv.ministrit të mbrojtjes Ekrem Spahia kundër komunitetit LGTB në Shqipëri.
“Bashkimi Evropian dënon me forcë çdo retorikë diskriminuese dhe nxitje për urrejtje dhe dhunë. Shqipëria ka ratifikuar Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe ka aprovuar Ligjin për Mbrojtjen kundër Diskriminimit. Lufta kundër diskriminimit, përfshirë diskriminimin e personave LGBT, është një ndër 12 prioritetet kyçe të Opinionit të 2010-ës. Shqipëria është angazhuar për të zbatuar Planin e Veprimit mbi këto dymbëdhjetë prioritete kyçe”, thuhet në deklaratë.
BE shprehet me tëj se deklaratata e Spahisë janë në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare për diskriminimin.
“Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, në marrëveshje me Ambasadorët (Shefat e Misioneve) e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri, u bën thirrje me vendosmëri autoriteteve shqiptare të sigurojnë që sjellje të tilla të mos përsëriten”, shprehen ambasadorët e Bashkimit Europian.


DEKLARATA E SPAHISË
Deklarata nga Zëvendësministri i Mbrojtjes dhe Kryetari i Partisë Lëvizja për Legalitetin, Ekrem Spahia u bë më 22 mars. Ai komentoi mbi Festivalin e Diversitetit për të drejtat e lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe personave transeksualë (LGBT), i cili do të zhvillohet në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë më 17 maj 2012.

(aq/shqiptarja.com)