Qytetarët e vendeve të treta, përfshirë ata nga Ballkani Perëndimor, që janë vaksinuar me dy doza kundër koronavirusit në vendet e tyre, do të mund të udhëtojnë në Bashkimin Evropian pa kufizime.
Rekomandimi është bërë nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian ditwn e sotme.
BE-ja ka në plan të miratojë “certifikatat digjitale”, për banorët e vendeve të Bashkimit Evropian të cilat do të shërbejnë për udhëtime brenda bllokut dhe derisa të arrihet miratimi i tyre, BE-ja ka vendosur që të pranojë certifikatat e lëshuara nga vendet e treat. Ato duhet të përmbajnë një minimum të të dhënave, bazuar në legjislacionin kombëtar, që do të dëshmojnë autenticitetin, vlefshmërinë dhe integritetin e dokumentit.
"Nëse vendet e BE-së pranojnë prova të vaksinimit, ato në parim duhet të heqin kufizimet në udhëtimet jo-thelbësore për udhëtarët e vendeve të treta që kanë marrë dozën e dytë të vaksinave të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave të paktën 14 ditë para arritjes në territorin e BE-së", thuhet në rekomandim.
Agjencia Evropiane e Barnave deri më tani ka miratuar për përdorim vaksinat e Pfizer/BionTech, Moderna, Johnson&Johnson si dhe AstraZeneca.
BE-ja gjithashtu miratoi rekomandimin për të hequr kufizimet e udhëtimit për vendet, të cilat në 14 ditët e fundit, kanë regjistruar maksimumi 75 raste të të infektuarve në ditë për 100.000 banorë.
Deri më tani, ky prag ka qenë 25 raste për 100,000 banorë. Vendimi i ministrave të BE-së nuk është ligjërisht i detyrueshëm pasi vendet anëtare, veç e veç vendosin nëse do të zbatojnë rekomandimet.