BE: Rezultatet e votimit në veri të Kosovës nuk kontribuojnë në zbutjen e tensioneve! Masat ndaj Prishtinës do të vazhdojnë

BE: Rezultatet e votimit në veri të Kosovës nuk kontribuojnë në zbutjen e tensioneve! Masat ndaj Prishtinës do të vazhdojnë

Peter Stano

Rezultatet e votimit në veri nuk kontribuojnë në zbutjen e tensioneve, kanë thënë në Bashkimin Evropian. Përmes një përgjigjeje me shkrim nga blloku evropian nuk kanë treguar nëse do të heqin masat ndëshkuese ndaj Kosovës duke vënë në përgjegjësi për këtë përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell. Pas përfundimit të këtij procesi, pavarësisht rezultatit, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se ka ardhur koha që masat ndaj Kosovës të largohen përfundimisht. Por, një përgjigje për këtë nuk e patën në Bashkimin Evropian.

Heqja e masave ndaj Kosovës është në duar të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell.

Në një përgjigje për KOHËN, zëdhënësi i bllokut evropian, Peter Stano, ka thënë se diskutimet zhvillohen në bazë të një raporti që Borrelli duhet të bëjë në lidhje me përmbushjen e kërkesave të BE-së Kosovës.

“BE-ja shpreh keqardhjen që serbët në veri të Kosovës humbën mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur kryetarë komunash që do të ishin vërtet përfaqësues. Rezultati nuk kontribuon në zbutjen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, gjë që është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve. Për masat, në përputhje me konkluzionet e tij të 12 dhjetorit 2023, Këshilli do të diskutojë masat e BE-së në bazë të një raporti të përfaqësuesit të lartë mbi përmbushjen e kërkesave të BE-së”, tha Stano. 

Por përmbushjen e obligimeve të marra, pa marrë parasysh rezultatin, vlerëson se e ka bërë Qeveria e Kosovës. Në një deklarim për media, nga Ekzekutivi është kërkuar heqja e masave ndaj Kosovës.

“Me përfundimin e këtij procesi, pa marrë parasysh rezultatin, Republika e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve të saj dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi me Bashkimin Evropian për depërshkallëzimin e situatës në veri të vendit. Andaj, pas votimit të djeshëm është koha që masat e padrejta ndaj Kosovës përfundimisht të largohen”, tha Qeveria e Kosovës. 

Sipas Qeverisë, rezultatet e votimit tregojnë se nuk ka vullnet për t`i shkarkuar kryetarët aktualë.

Heqja e masave pas procesit të votimit nuk është përmendur nga Gjermania. 

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, e ka konsideruar për keqardhje e shkatërruese për demokracinë thirrjen e Listës Serbe për bojkot të procesit.

“Fatkeqësisht nuk kemi arritur në një situatë më të afërt me një situatë ku të gjithë qytetarët të ndihen të përfaqësuar nga kryetarët e katër komunave veriore. Megjithatë, në të njëjtën kohë, Qeveria kosovare ka bërë pjesën e saj, duke paraqitur një proces që mund të kishte çuar në më shumë përfaqësim nëse do të përdorej nga votuesit. Bojkoti i kërkuar nga aktorët politikë, siç është Lista Serbe, siç e kam thënë më parë, për keqardhje dhe shkatërrues kur bëhet fjalë për kulturën demokratike, zgjidhjen e problemeve dhe kujdesin për jetën e përditshme aktuale të qytetarëve. E thënë troç: ata që bënë thirrje për bojkot morën pikërisht atë që kërkuan”, tha Rohde. 

E nga Ambasada e Britanisë në Kosovë kanë thënë se rezultati i procesit të votimit nënkupton që kryetarët do të vazhdojnë të kryejnë mandatin e tyre e u ka bërë thirrje që gjatë kryerjes së detyrave të kenë parasysh nevojat dhe interesat e komuniteteve.

Heqja e masave është kërkuar edhe nga përfaqësuesit e partive politike në Kuvend.

“Kosova e ka vendosur veten në një kurth të panevojshëm me një çështje të tillë, pra sot fatkeqësisht po jemi në problemin e njëjtë dhe po e shohim edhe më shumë involvimin e presidentit të vendit fqinj në çështjet tona të brendshme, që është e papranueshme”, tha shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

“Dje u pa që ndikimi i Serbisë te komuniteti i serbëve të Kosovës në atë pjesë të Kosovës është ende shumë i madh. Frikësimi, presioni politik, ndikimi politik i presidentit Vuçiq vazhdon të jetë me ndikim. Kosova duhet ta ushtrojë sovranitetin e plotë në atë pjesë të Kosovës”, tha shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri. 

Ndërsa, sipas shefes së deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, vendet anëtare të BE-së nuk kanë argumente për mbajtjen e masave ndaj Kosovës.

Në lidhje me heqjen e masave përgjigje nuk kanë kthyer nga Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se është për keqardhje që serbët e Kosovës vendosën të bojkotojnë votimin e të dielës që u organizua për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore të Kosovës. 
Stano ka thënë se serbët e Kosovës kanë humbur rastin “që të zgjedhin kryetarët që do t’i përfaqësojnë vërtetë ata”. 

Stano ka thënë se Kosova ka mundësuar organizimin e votimit, por vendimi i partive politike që përfaqësojnë serbët e Kosovës në veri që të tërhiqen nga procesi dhe të bëjnë thirrje për bojkotim, ka çuar në një seri të vështirësive. Po ashtu ka thënë se edhe vendimi që të mos lejohet që shkollat në veri të përdoreshin si qendra votimi ka krijuar sfida serioze për Komisionin Qendrore Zgjedhor. 

“Kjo po ashtu pengoi qytetarët të kenë informata të sakta për lokacionet e reja të qendrave të votimit”, ka thënë Stano.

“Rezultati nuk kontribuon në shtensionim dhe të hapë rrugën për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, që është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë Stano në një përgjigje për KOHËN

Sa i përket thirrjeve të Qeverisë së Kosovës për largimin e masave, Stano ka thënë se Këshilli do të diskutojë masat bazuar në raportin e Përfaqësuesit të Lartë lidhur me plotësimin e kërkesave të BE-së. 

Të dielën u mbaj votimi për shkarkimin e kryetarëve në veri. Në votim morën pjesë mbi 250 qytetarë, kështu që votimi u konsiderua se dështoi. 

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale