Kjo vizitë, e parashikuar të hënën dhe të martën, do të zhvillohet një javë pas asaj të presidentit rus Vladimir Putin, që shpalli të hënën në Ankara braktisjen e gazsjellësit ruso-italian, "South Stream", të kritikuar nga Brukseli.
"Mogherini do të shoqërohet nga komisioneri evropian i Zgjerimit, Johannes Hahn, dhe ai i Ndihmave Humanitare, Christos Stylianides. Ata do të takojnë presidentin islamiko-konservator, Recep Tayyip Erdogan, kryeministrin, Ahmet Davutoglu, si dhe përfaqësues të opozitës, grupet e biznesit dhe të shoqërisë civile", njoftoi Komisioni në një komunikatë.
Ankaraja është gjithashtu një partner i rëndësishëm i evropianëve në luftën kundër luftëtarëve të huaj që i bashkohen xhihadistëve në Irak dhe Siri.
"Kjo vizitë thekson fuqishëm rëndësinë strategjike të marrëdhënieve mes BE-së dhe Turqisë", deklaroi Mogherini në një komunikatë.
Turqia është zyrtarisht kandidate e Bashkimit Evropian që prej vitit 1999, por negociatat, të filluara në vitin 2005, janë më të ngadaltat të zhvilluara ndonjëherë, për shkak të ngurimit të Francës dhe Gjermanisë për të pritur një vend ku shumica e popullsisë është me maxhorancë myslimane.
Bisedimet për aderim rifilluan vitin e kaluar, pas një ndërprerje të tyre, por klima është tensionuar mes Brukselit dhe Ankarasë, nën kontekstin e forcimit të regjimit turk./ATSh/