BE sjell ekspertizën kroate në Shqipëri për luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet

/ATSH/- Prokurori i Përgjithshëm i Kroacisë, Dinko Cvitan u ftua t'u japë ekspertizën e tij autoriteteve vendore përkatëse në kuadrin e projektit Euralius të financuar nga BE.
Gjatë qëndrimit të tij pesëditor në vend, zyra e shtypit e Delegacionit te Bashkimit Europian, në Tiranë bëri të ditur se Cvitan ndau me homologët e vet shqiptarë modelin kroat të integritetit, vullnetit dhe proaktivitetit dhe shpjegoi rolin kyç të prokurorëve dhe gjyqtarëve në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet.
Raport Progresi i tetorit 2014 për Shqipërinë i Komisionit Evropian dhe Raporti i qershorit 2014 për progresin e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në reformën gjyqësore nënvizoi rëndësinë e shtetit ligjor dhe reformës së gjyqësorit për progresin e vendit në udhën drejt integrimit në BE.
"Ekziston nevoja për një politikë serioze dhe koherente në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me masa të vendosura që çojnë në hetime proaktive dhe efikase, ndjekje penale dhe dënime të formës së prerë", theksoi Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn, gjatë vizitës së tij të parë në Tiranë këtë javë.
I ftuar në kuadrin e projektit Euralius* të financuar nga BE, Prokurori i Përgjithshëm i Kroacisë, Dinko Cvitan ndau me autoritetet përkatëse në vend përvojën e tij në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet.
Dinko Cvitan ofroi bashkëpunim të ngushtë dhe mësime të nxjerra nga përvoja kroate në takimet e tij me një spektër të gjerë aktorësh politikë: Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, Kryeministrin, Edi Rama, Ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço, Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, Ministrin e Qeverisjes Vendore dhe Koordinatorin Kombëtar kundër Korrupsionit, Bledar Çuçi, Kreun e Komisionit Parlamentare për Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj, si dhe përfaqësues të opozitës, anëtarë të Parlamentit nga Partia Demokratike, Eduard Halimi dhe Oerd Bylykbashi.
Në të gjitha takimet, Cvitan nënvizoi se në luftën kundër korrupsionit një faktor me rëndësi është vullneti për t'ia dalë mbanë, por edhe vullneti i ligjvënësit për të siguruar një kuadër të fortë ligjor dhe pavarësi të plotë të institucioneve përkatëse për të vepruar në mënyrë që reformat të çojnë në një sistem efektiv dhe të qëndrueshëm.
Ai shtoi se zbatimi i shëndoshë i legjislacionit dhe mbikëqyrja e shëndoshë e veprimtarisë së shërbimeve të prokurorisë nga Parlamenti është po ashtu kyçe.
Prokurori i Përgjithshëm i Kroacisë mbajti takime kyçe me homologët e vet, Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Lalla, kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Adnan Xholi dhe Kryetarin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni. Ai dha leksione të hapura me mesazhe të fuqishme për prokurorët, gjyqtarët dhe gjykatat e krimeve të rënda, të cilëve u shpjegoi elementët që çuan në suksesin e Zyrës për Parandalimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Kroacisë (USKOK), të cilën e ka drejtuar nga viti 2005 deri në 2013:
- Përgjegjshmëria dhe integriteti i prokurorëve.
- Më shumë se bashkëpunim, "punë në grup" plotësisht e angazhuar me policinë dhe autoritetet përkatëse të zbatimit të ligjit.
- Vullnet politik i përkthyer në miratim të kuadrit ligjor për të operuar dhe veçanërisht vullnet politik për të mos ndërhyrë në çështjet gjyqësore.
- Përgatitje multidisiplinare e prokurorëve, hetime të përbashkëta (bashkëpunimi ndërkombëtar është kyç), marrëveshje bashkëpunimi kundër pastrimit të parave dhe rrjete efektive kontaktesh në gjithë institucionet përkatëse.
- Proaktiviteti i prokurorëve.
Fakte dhe shifra:
Gjatë karrierës së tij, Dinko Cvitan ka qenë i ngarkuar me ndjekjen penale të zyrtarëve të nivelit të lartë si ish Kryeministri (dhe anëtar i Parlamentit) Ivo Sanader, ministra, zëvendësministra, gjeneralë, Ambasadori i Kroacisë në OKB, kryebashkiaku i Zagrebit dhe kryebashkiakë të tjerë.
Dosja që paraqiti z. Cvitan në gjykatë për rastin Sanader dhe kompaninë FIMIMEDIA përbëhej prej rreth 20 000 faqesh, deri në 10 CD me përgjime, rreth 500 intervista dëshmitarësh (të njëjtët persona u intervistuan disa herë dhe një nga bashkëpunëtorët kryesorë të Sanaderit, Mladen Barisic, u intervistua 19 herë). 98% e rasteve të paraqitura në gjykata nga USKOK kanë përfunduar me dënime.
* Projekti "Përforcimi i Sistemit Gjyqësor në Shqipëri" (EURALIUS IV) financuar nga Bashkimi Evropian (BE) për të mbështetur forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri nisi në shtator 2014. Projekti prej 4 milionë euro, i ndihmon autoritetet shqiptare të forcojnë pavarësinë, transparencën, efikasitetin, përgjegjshmërinë dhe besimin publik në sistemin gjyqësor të vendit në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe praktikat më të mira në BE.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille