BE: S’mund ta vlerësojmë draftin e paralajmëruar nga Kosova për Asociacionin, pa e ditur përmbajtjen

BE: S’mund ta vlerësojmë draftin e paralajmëruar nga Kosova për Asociacionin, pa e ditur përmbajtjen

Bashkimi Evropian (BE) ka thënë të enjten vonë se e ka “të pamundur” ta vlerësojë tani për tani një propozim të Qeverisë së Kosovës për ta përpiluar dhe dërguar në Kushtetuese një draft-statut të vetin për themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, duke thënë se nuk është në dijeni për përmbajtjen e tij.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë se një draft i tillë duhet të diskutohet edhe me Serbinë dhe me bllokun, i cili e ndërmjetëson dialogun mes dy vendeve fqinje prej vitit 2011.

“Përmbajtja e një statuti, që Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ta përpilojë, është e panjohur dhe nuk është diskutuar as me Serbinë, e as me ndërmjetësuesin [e dialogut Prishtinë-Beograd] BE-në. Prandaj, është e pamundur që të vlerësohet përputhshmëria e tij me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 në këtë fazë”, tha Stano.

Të enjten në mëngjes, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, njoftoi se kishte informuar Këshillin e Evropës se Kosova mëton të përgatisë një draft-statut dhe ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim në fund të muajit.

Më vonë gjatë ditës, ajo tha në një konferencë për media se Kosova është në “fazën e zotimit” për hartimin e një draft-statuti për themelimin e Asociacionit, dhe “jo në një fazë të avancuar”.

Stano tha se BE-ja e mirëpret gatishmërinë e shprehur më në fund nga Kosova për t’u angazhuar tani, pasi “për keqardhje, Kosova prej vitit 2013 nuk e ka ndërmarrë asnjë hap drejt themelimit të Asociacionit, e me këtë edhe drejt forcimit të të drejtave të pakicave, edhe pse ka pasur raste të shumta për të bërë këtë”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin: më 2013 dhe 2015, gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Por, Gjykata Kushtetuese tha më 2015 se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionin nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Qeveria e Kosovës vazhdimisht është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.

Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian ua paraqiti palëve një draft-statut për Asociacionin, të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk e pranon.

“Është me rëndësi të rikujtojmë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë Serbe është një obligim i pazbatuar për një kohë të gjatë nga Kosova, i cili del nga marrëveshja e vitit 2013 e dialogut. Kjo është marrëveshja e vetme e dialogut që është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës me dy të tretat e votave. Prandaj, është obligim i qartë i Kosovës, sipas së drejtës ndërkombëtare” shtoi Stano.

Megjithëse disa vende të bllokut, si Franca dhe Gjermania, i kanë bërë thirrje të Kosovës të bëjë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit, Stano tha se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe këkresa e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës nuk ndërlidhen.

“Dialogu i lehtësuar nga BE dhe kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës janë procese të ndara. Megjithatë, edhe BE edhe Këshilli i Evropës bazohen në respektimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave”, theksoi Stano.

Franca, Gjermania dhe Italia kanë ngulur këmbë në një letër dërguar kryeministrit Kurti më 15 maj, se ato e mbështesin draft-statutin e propozuar nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, për themelimin e Asociacionit.

Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e quajti të enjten “mashtrim dhe përpjekje joserioze” nga Kosova njoftimin se ajo synon ta hartojë një draft-statut për themelimin Asociacionit.

Vuçiq tha në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së, që po mbahet në Kotorr, se Kosova nuk mund ta bëjë një draft-statut të tillë pa pajtimin e shtetit fqinj./ REL

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia zbulon komplotin e Ukrainës, bombë e fshehur në altoparlant për të vrarë oficerin e lartë

Rusia zbulon komplotin e Ukrainës, bombë e fshehur në altoparlant për të vrarë oficerin e lartë