BRUKSELI - Bashkimi Europian ka dalë sot me një deklaratë veçanërisht të fortë për situatën në Egjipt ku ngarkon me përgjegjësi kryesore autoritetet e përkohshme të Egjiptit dhe ushtrinë dhe thuhet se BE do rishohë marrëdhëniet me Egjiptin.

Në deklaratën e firmosur nga autoritete më të lartë të BE, Barroso dhe Van Rompuy, shprehet keqardhja e thellë që përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të ndërmjetësuar një zgjidhje përmes dialogut nuk u morën parasysh.

Në deklaratë thuhet qartë se “përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës duhet të ndalohet”. “Egjipti është partner kyç i Bashkimit Europian. Ne kemi interes dhe përgjegjësi të përbashkët për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në një rajon strategjik…. Përshkallëzimi mund të ketë pasoja të paparashikuara për Egjiptin dhe më gjerësisht për rajonin”.

BE kërkon rinisjen e menjëhershme të dialogut, rifutjen e vendit në një process demokratik dhe lirimin e të burgosurve politikë. Në fund të deklaratës thuhet se: “ Në bashkepunim me partnerët ndërkombëtarë dhe rajonalë, BE do të qëndrojë seriozisht e angazhuar në përpjekjet për të nxitur fundin e dhunës, rinisjen e dialogut politik dhe kthimin në një process demokratik. Në shërbim të kësaj, së bashku me Vendet Anëtare, BE do të rishikojë në mënyrë urgjente ditët e ardhshme marrëdhëniet e tij me Egjiptin dhe do të marrë masa me qëllim arritjen e këtyre objektivave”.

Në Kairo qeveria po shqyrton propozimin për shkrirjen e Vëllazërisë Myslimane. Kryeministri i vendit kërkoi dje të ndalojë me ligj Vëllazërinë qe e cilëson si përgjegjësen kryesore për nxitjen e këtyre tubimeve, me pasoje vdekjen e qindra personave. Gjithashtu qeveria kërkon hartimin e një plani per ndalimin e ngritjes se kampeve te reja qe te shërbejnë si baza për demonstruesi.

Redaksia online 
(ep/sg/shqiptarja.com)