Begaj për "A1Report": Krenare
Objektiv medalja në Olimpiadë
VIDEO/ Intervista me Romela Begaj

Begaj për Objektiv medalja në Olimpiadë
VIDEO/ Intervista me Romela Begaj">
Kampionia e botës në peshëngritje, Romela Begaj përmes një interviste për “A1 Report” ka përshkruar emocionet që ka përjetuar pas triumfit në kampionatin e shtangës që u zhvillua në Kazakistan. Shqiptarja e talentuar, e para kampione bote kuqezi, premton se surprizat nuk mbarojnë këtu, pasi synon medaljen edhe në Lojërat Olimpike që do të zhvillohen në Brazil më 2016, ndërsa pengu i vetëm për këtë botëror është fakti që nuk arriti të thyente rekordin e botës.
 
Begaj: Ngjarje e madhe për vendin, pata konkurrencë të fortë
Sportistja Romela Begaj tha se fitorja e saj dhe e peshëngritësit Daniel Godelli, është ngjarje e madhe për vendin tonë, duke sjelle për herë të parë në Shqipëri dy medalje ari. Duke u ndalur tek vështirësia e garës, Begaj tha se pati konkurrencë të fortë.
 
“Është një arritje shumë e madhe për gjithë kombin shqiptar. Është hera ë parë që sillen dy medalje ari. Ka qenë një garë e imja shumë e vështirë. Ka patur konkurrente shumë të forta. Dhashë maksimumin tim. Është kënaqësi dhe nder për mua. Mund të avancoja shumë me shkëputjen. Por nuk më eci një provë. Në qoftë se do më kishte ecur prova e dytë mua do të më kishte ecur për rekord botë, që e kam arritur gjatë provave në Greqi. Ka qenë një nga peshat më të forta. Me ardhjen time në Tiranë, do të jepen edhe filmimet e rekordit tim. I falënderoj të gjithë për mbështetjen”, tha Begaj.
 
Romela Begaj: Përgatitja me trajnerin Shabani dha rezultete
Por në këtë garë sportistja Begaj vinte me një ndryshim në peshë, nga 58 në 63 kg, dhe kjo sipas saj krijonte pak vështirësi. Por Romela Begaj tha se puna e bërë gjatë përgatitjeve me trajnerin Luan Shabani dha rezultatet e saj.
 
“Jam mësuar me ndryshimin në peshë. Pavarësisht kjo ka pasur vështirësitë e saj. Nuk është e thjeshtë. Tani jam stabilizuar. Pesha 63 kg është identike si 58 që kam qenë. Por them që do ja dal. Gara në evropianin e ardhshëm besoj se do të jetë në rezultate të larta. Është nder që punojmë me një sportist që ka vlera të mëdha, është një trajner me vlera. Jam shumë krenare që punoj me të. Këto rezultate që kanë ardhur në Shqipëri sot është vlera e Luan Shabani. Është emocion i madh të marrësh medalje me atë konkurrente që unë kisha. Medalja e arrit ishte fantastike për mua, e marrë me shumë mundim”, u shpreh Begaj.
 
Begaj: Duhet të tregohet vëmendje më e madhe ndaj sportit
Duke u ndalur tek dy fitoret e medaljeve të arrit nga Godelli dhe Begaj, sportistja tha se rezultate të tilla e ngrenë lart emrin e Shqipërisë, ndërsa theksoi se sportistët duhet të vlerësohen edhe atëherë kur nuk arrihet në fitoren e një medalje.
 
“Është një rezultat shumë i mirë. Është një sportist me nivele të larta. Është krenari për Shqipërinë që ka këto sportistë që i ngrenë emrin. Patëm një mbledhje bashkë me kreun Gjozaj. Ishte një bisedë për rezultatet, dhe shumë pak për problemet, që do shfaqen më vonë. Ka shumë për të përmirësuar. Aty ku ka rezultate ka edhe probleme. Me këtë rezultat që kemi, duhet të bëhen shumë gjëra, duhet të hidhet një sy më i madh nga sporti.
 
Ka shumë probleme. Nuk mund t’i vësh re vetëm peshëngritjes sepse ka rezultatin, por të gjithë sportit, në mënyrë që kudo të ketë rezultate. Nuk duhet të vlerësohet një sportist vetëm ku ka fitore, por në çdo rast nuk duhet të hidhet poshtë djersa e mundi i një futbollisti”, tha sportisja.
 
Romela Begaj: Do donim një pritje madhështore, siç janë edhe medaljet tona
Mbrëmjen e nesërme ekipi pritet të kthehet në Tiranë, dhe lidhur me këtë fakt sportistja Begaj shprehet se do të dëshironin një pritje madhështore, ashtu siç janë edhe medaljet që ata sjellin në vend.
 
“Nuk e di çfarë surprize mund të kenë bërë krerët e shtetit, e sidomos ministrja Nikolla. Shpresoj të jetë madhështore, ashtu siç janë edhe medaljet tona. Çdo gjë është garë, dhe asnjëherë nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë aty. Ëndrra e çdo sportisti është pjesëmarrja në olimpiadë. Dhe unë e Daniel Godelli e presim këtë pjesëmarrje. Do synojmë më të mirën të mbajmë titullin që kemi dhe të japim rezultate më të larta”, tha Romela Begaj.


Mbyllet gara
Përpos Godellit dhe Begaj në botërorin e Kazakistanit kanë konkurruar edhe Hysen Pulaku, Krenar Shoraj, Endri Haxhihyseni dhe Sopot Sula. Pulaku në garën e peshës 85 kg në total ngriti 365 kg, 165 kg në stilin e shkëputjes dhe 200 kg në stilin e shtytjes, në shkëputje u pozicionua i 10 ndërsa në shtytje i 12. Hysen Pulaku pasi u rëndit i pari në Baterinë B, e mbylli garën në vendin e 10 në botë pas përfundimit të Baterisë A. Endri Haxhihyseni dhe Sopot Sula konkurruan në Baterinë C të peshës 94 kg, Haxhihyseni u rendit i 3 me 348 kg në total, Sopot Sula u rendit i 6 me 339 kg. Krenar Shoraj e nisi garën në Baterinë C, teksa në total ngriti 342 kg në dy – garësh u rendit i 24 nga 43 sportistë.


 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë