Shqipëria do të vijojë të mbështesë partneritetin strategjik me SHBA-të dhe angazhimin në NATO. Mesazhi u dha nga Presidenti Bajram Begaj gjatë takimit me admiralin amerikan George M. Wikoff. 
 
Gjatë takimit, Begaj përgëzoi Admiralin George M. Wikoff për vizionin me të cilin po drejton Komandën e Forcës së Bashkuar në Napoli në një situatë komplekse gjeopolitike dhe vlerësoi këtë Komandë me rol thelbësor për sigurinë, paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.
 
“Komanda e Forcës së Përbashkët dhe misioni i KFOR-it janë shtylla të forta për paqen dhe stabilitetin në rajon”, - vlerësoi Presidenti i Republikës. Presidenti theksoi rëndësinë që ka për Shqipërinë Partneriteti strategjik me SHBA -të.

“Ky partneritet strategjik është shumë i çmuar për Shqipërinë dhe ka qenë transformues për Forcat e Armatosura Shqiptare”, - u shpreh Presidenti i Republikës, i cili vlerësoi prezencën amerikane dhe të NATO-s në rajon si të donosdoshme dhe garanci për sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin.
 
Përballë situatës aktuale të sigurisë të rrezikuar nga vatrat e konfliktit në Ukrainë dhe në Lindjen e  Mesme,  Presidenti i Republikës u shpreh se në këtë kohë duhet marrë më shumë përgjegjësi për të investuar, si për mbrojtjen kombëtare, edhe për atë kolektive. “Në këtë drejtim Shqipëria është e angazhuar në forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve mbrojtëse dhe modernizimit të Forcave të Armatosura si edhe për rritjen e kontributit në Aleancë”, - tha Presidenti Begaj.
 
Duke iu referuar nismave ndërshtetërore që lidhen me sigurinë dhe zhvillimin rajonal, Presidenti i Republikës shprehu falënderim për mbështetjen e SHBA-ve dhe Komandës së Forcave të Përbashkëta të Aleancës në Napoli për përfshirjen e Korridorit VIII në korridoret e reja të lëvizshmërisë. “Korridori VIII ka një rëndësi strategjike për Shqipërinë, rajonin dhe NATO-n jo vetëm për sigurinë dhe fushën e mbrojtjes, por edhe për forcimin e marrëdhënieve të vendeve në rajon dhe është një investim në stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit, - vlerësoi Kreu i Shtetit”.
 
Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm të SHBA-së në KFOR për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe për të mbështetur stabilitetin më të gjerë rajonal në Ballkanin Perëndimor. “Për Shqipërinë, prania e NATO-s, KFOR-it dhe prezencës amerikane në KFOR është me rëndësi strategjike dhe thelbësore për të ardhmen e të gjithë rajonit”, - u shpreh Presidenti Begaj. Në fund të takimit, Presidenti Begaj siguroi Admiralin George M. Wikoff  se Shqipëria do të vazhdojë të jetë e përkushtuar ndaj partneritetit të fortë strategjik të SHBA-së, dhe ndaj NATO-s.