Begaj me presidentin e Izraelit: Mundësi të reja të forcimit të bashkëpunimit

Begaj me presidentin e Izraelit: Mundësi të reja të forcimit të bashkëpunimit

Presidenti Bajram Begaj, priti sot në një takim presidentin e shtetit të Izraelit, Isaac Herzog i cili ndodhet në vizitë zyrtare në Tiranë. Begaj i uroi homologut Herzog mirëseardhjen në vizitën e parë të një Presidenti të Shtetit të Izraelit në Shqipëri.

Bashkëpunimi dypalësh, zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Kosova, situata në Lindjen e Mesme dhe çështjet e sigurisë kibernetike ishin në fokus të bisedës kokë më kokë. Begaj, e konsideroi këtë vizitë si një mundësi të shkëlqyer për gjetjen e mundësive të reja të forcimit të bashkëpunimit, duke shprehur përkushtimin e tij dhe të Shqipërisë në këtë drejtim.

 “Shqipëria dhe Izraeli janë vende mike që ndajnë momente historike unike, të cilat na bashkojnë përgjithmonë”.- theksoi Begaj.

“Çdo shqiptar, – shprehu Presidenti Begaj, – është krenar kur kujton mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sipas Presidentit, të njëjtat ndjenja ndajnë edhe shqiptarët në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe, në këtë aspekt, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli është një vendim shumë i rëndësishëm gjeopolitik, me ndikim pozitiv rajonal.

Për sa i përket zhvillimeve në Ballkan, Begaj u shpreh se për shkak të pozicionimit gjeopolitik, rajoni është i prekshëm ndaj kërcënimeve, duke përfshirë terrorizmin dhe ekstremizmin, migracionin, kërcënimet hibride, sigurinë kibernetike dhe praninë e aktorëve të tretë destabilizues.

“Shqipëria, – theksoi Kreu i Shtetit, – i mbetet mirënjohëse Izraelit për kontributin e dhënë për të rritur kapacitetet e saj të mbrojtjes kibernetike në rrethana shumë të vështira dhe kritike pas sulmeve kibernetike të Iranit në vitin 2022.

Gjatë takimit kokë më kokë, krerët e dy shteteve biseduan për zhvillimet në rajonin e Lindjes së Mesme, për të cilat Presidenti i Republikës rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë: “Shqipëria ka dënuar fuqishëm dhe pa mëdyshje sulmet terroriste të 7 tetorit 2023 nga Hamasi kundër Izraelit. Kjo është e paprecedentë dhe nuk mund të justifikohet me asgjë”, – u shpreh Begaj, duke theksuar se Shqipëria ka dënuar ashpër rrëmbimin e civilëve, grave, të moshuarve dhe fëmijëve, si dhe ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të civilëve të pafajshëm.

“Ne mirëpresim lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve”, – u shpreh Begaj në takimin me Presidentin Herzog, duke përsëritur thirrjen që ndihma humanitare të vazhdojë për të gjithë në nevojë dhe ne dëshirojmë fundin e vuajtjeve të popullatës civile.

Begaj, rikonfirmoi se Shqipëria mbështet plotësisht planin e paraqitur nga Presidenti Biden, i cili do të çonte në një armëpushim të qëndrueshëm në Gaza, në lirimin e të gjithë pengjeve, në rritje të ndihmave humanitare për Gazën, si dhe bisedimet diplomatike, si e vetmja mundësi që çon në zgjidhje të situatës.


Lajmi kryesor:

Presidenti i Izraelit viziton për herë të parë Shqipërinë! Herzog: Vendi juaj ka treguar se jeni krah popullit izraelit! Rama: Të lirohen pengjet! Shqipëria, mbështet armëpushimin në Gaza


M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi