Presidenti Bajram Begaj ka reaguar për herë të parë lidhur me protestat që po zhvillohen prej 25 ditësh radhazi në Tiranë, duke theksuar se e drejta e qytetarëve për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike është një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta.
Gjatë ceremonisë së 100-vjetorit të krijimit të Prefekturës së Tiranës, Begaj tha se "si President i Republikës, mbetem i përkushtuar në mbrojtje të Kushtetutës, të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe në nxitjen e një klime bashkëpunimi dhe dialogu që i shërben interesit kombëtar dhe publik, të ardhmes evropiane dhe përkatësisë dhe vlerave Euroatlantike të vendit".
"Ky aktivitet zhvillohet në një moment kur qytetarë po shprehin publikisht shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre në mënyrë paqësore. Në respekt të pozicionit kushtetues, neutralitetit kushtetues, mund të theksoj se e drejta për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike është një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta, e cila duhet të ushtrohet në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Konsolidimi i demokracisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit mbështeten në angazhimin e përbashkët të qytetarëve dhe institucioneve për të vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe interesin kombëtar dhe atë publik. Korniza kushtetuese, së bashku me rregullat e shtetit ligjor dhe demokracisë përbëjnë garancinë kryesore për funksionimin e drejtë të shoqërisë. Si President i Republikës, mbetem i përkushtuar në mbrojtje të Kushtetutës, të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe në nxitjen e një klime bashkëpunimi dhe dialogu që i shërben interesit kombëtar dhe publik, të ardhmes evropiane dhe përkatësisë dhe vlerave Euroatlantike të vendit",- tha Begaj.
Nëpërmjet Dritan Goxhajt, grupi koordinues i protestës i përbërë nga rreth 40 vetë, kanë shpallur kërkesat drejtuar kryeministrit Edi Rama, duke nisur nga dorëheqja e tij, krijimi i një qeverie teknike dhe kufizimi i ushtrimit të mandatit të kryeministrit deri në 2 mandate. Mirëpo, në kërkesa nuk u përmend në asnjë moment opozita e Sali Berisha.
Të gjithë kërkesat e artikuluara nga Dritan Goxhaj janë:
"1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike dhe tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë përpara ligjit dhe miratimin me referendum popullor, duke përfshirë:
* ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
* ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;
* kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se 2 mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës së një individi.
Nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare:
* Anulimin e ndryshimeve të bëra për zonat e mbrojtura.
* Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore.
* Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Pakti i Maleve”.
* Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike.
* Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, që do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës. Këto janë kërkesat tona, legjitime dhe të panegociueshme. Mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore deri në realizimin e tyre.”
Komente












Ky Bajrami as ne banjo nuk shkon pa mar leje Rames! Ky ka qene pa buke fare dhe tashti qe po mer rroge te majme Ramen e ka permbi baba! Do i kete cu nai sms Rama dhe ky doli me zbatu urdhrin! Lereni ne guaclen e vet qyqarin!
PërgjigjuGjalle eshte ky akoma ? Mendoja se kushte ikur me kohe
Përgjigju