Presidenti Bajram Begaj zhvilloi vizitën e parë zyrtare të një kreu të shtetit shqiptar në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku u prit nga Sheiku Mohamed bin Zayed Al Nahyan. Takimi rikonfirmoi angazhimin e dy vendeve për forcimin e partneritetit politik dhe ekonomik, si edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

Gjatë bisedimeve në Abu Dhabi, Begaj falënderoi Emiratet për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në momente të vështira, duke kujtuar ndihmën gjatë luftës në Kosovë, pas tërmetit të vitit 2019 dhe pas sulmit kibernetik të vitit 2022.

Një nga temat kryesore të takimit ishte bashkëpunimi ekonomik. Presidenti u shpreh se hapja e Ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe në Tiranë do t'i japë një shtysë të re marrëdhënieve mes dy vendeve, ndërsa ftoi investitorët emiratas të zgjerojnë praninë e tyre në Shqipëri, veçanërisht në infrastrukturë, energji, inovacion, turizëm dhe sektorë të tjerë strategjikë.

Dy presidentët diskutuan edhe për zhvillimet rajonale e ndërkombëtare, duke vlerësuar bashkëpunimin mes dy vendeve në mbështetje të paqes, sigurisë dhe zhvillimit.

Gjatë vizitës në Abu Dhabi, Begaj zhvilloi takime edhe me Princin e Kurorës, Sheikh Khaled bin Mohamed bin Zayed Al Nahyan, si dhe me Zëvendëspresidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mansour bin Zayed Al Nahyan.