ITALI-BELGJIKE- Mijëra e miliona euro që vijnë nga shitja e drogës u janë bllokuar dje 2 bosëve shqiptarë në Itali dhe Belgjikë. Në rastin e parë, shqiptari ishte i besuari kryesor i kapos maroken, teksa banda mblidhte 1 milionë euro në muaj nga shitja e drogës. Sekuestrimi i dytë ka ndodhur në Belgjikë, ku një shqiptari i’u gjetën 220 mijë euro.

Xhiroja 1 milionëshe
Karabinierët italianë kanë zbuluar në Pero një grup që të dedikuar për riciklimin e të paktën 1 milion euro në muaj, teksa paratë e fituar nga shitjet e mëdha të kokainës transferoheshin në Marok. Bosi i mafiozëve ishte maroken ndaj shumica e parave kalonin atje, por një shqiptar ishte i besuari i tij kryesor dhe kur policia e arretoi bashkëkombasin tonë, bashkë me një patriot të bosit maroken, i’u gjetën 300 mijë euro me vete. Në operacionin “Sheshi i Bardhë”, 18 vetë u arrestuan në flagrancë dhe janë sekuestruar 16 kg drogë.

Sekuestrimet datojnë nga maji 2013, ku u prangosën M.B, R.E.J dhe A.M, mes 27 dhe 35 vjeç, të cilët mbanin më shumë se 8 kg kokainë dhe pothuajse 90 mijë euro në para të gatshme. Pak më vonë, me 350 mijë euro u kap E.A shqiptar dhe marokeni M.E.S.  Policia, megjithatë, ka hetuar edhe për të kuptuar se ku shkonin paratë e shitjes së drogës, pra të zbulonin skemën e pastrimit të parave. Kështu në operacionin tjetër “Pastruesit e parave”, karabinierët gjejnë dyqanin. “Altas Bazar”, në rrugën “Isimbardi” në Milano, ku u bllokuan 100 mijë euro, teksa zona njihej për mbledhjen qendrore e parave. Ata kishin ngritur një rrjet të dyqaneve të këtij lloji, si në Itali dhe jashtë vendit Maroku, Hollandë, etj për të mbledhur paratë nga shitja e drogës.

Kasaforta 220 mijë euro
Pardje, policia belge njoftoi se i sekuestroi një çifti shqiptarësh një sasi parash prej 220.000 eurosh. Mësohet se 120.000 euro ishin mbyllur në një qendër tregtare nga bashkëshortja e të shumëkërkuarit, shtetasit Arjan Shabani. Sipas policisë, mësohet se rojet e sigurisë së kësaj qendre gjetën në një çantë shumën e parave dhe pas kësaj lajmëruan menjëherë policinë.

Në Aty gjenden rafte të ndara, ku çdokush mund të mbyllë sende personale. Pas 10 orësh, sirtarët hapen automatikisht. Forcat e policisë pasi janë vënë në dijeni për çantën me euro, e kanë rivendosur aty ku ishte për të parë se kush do të vinte për ta marrë. Për të marrë çantën ka shkuar bashkëshortja e Arjan Shabanit, të cilës iu gjetën edhe 100.000 euro të tjera në një llogari bankare. Gruaja ndodhet në qeli dhe akuzohet për pastrim parash. Ka të dhëna se paratë vijnë nga aktiviteti kriminal. Dyshohet se paratë janë fituar nga trafikimi i drogës nga ana e Shabanit.
 
Shkrimi u publikua sot (27.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)