Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në fshatin Cërragë të Belshit ku 65-vjeçarja Emine Agolli ndërroi jetë pasi u sulmua nga qeni.

Emine Agolli u kafshua nga qeni i kunatës në oborrin e shtëpisë teksa shkoi për ta thërritur. Ashtu siç e rrëfejnë fqinjët, 65-vjeçarja është rrëzuar pranë qenit në oborr dhe në atë moment është sulmuar nga qeni, që në ato momente ka qenë i lidhur. Fqinjët tregojnë gjithashtu se viktima vuante nga sëmundja e diabetit dhe nga varicet.

“Shkoi tek qeni. Qeni ishte i lidhur. Ajo shkoi të kërkonte kunatën, ajo nuk ishte në shtëpi. Qeni iu hodh, ajo u tremb dhe u rrëzua. Pati shumë rrjedhje hemorragjie. E kishte kafshuar tek këmbët dhe krahët. Plagën më të madhe e kishte në këmbë. Vuante dhe nga varicet dhe nga diabeti”, rrëfen fqinji.

Sakaq, Policia ka arrestuar 68-vjeçarin G. A., kunati i viktimës për shkak të kësaj ngjarje të rëndë.

“Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik arrestuan në flagrancë shtetasin G. A., 68 vjeç, pasi dje, qeni që ai mbante, ka kafshuar shtetasen E. A., 65 vjeçe (bashkëshortja e vëllait të tij), e cila për pasojë ka humbur jetën”, thuhet në njoftimin e policisë.