Ben Affleck ka triumfuar në kuicin "Who Wants to Be a Millionaire" duke fituar 1 milion dollarë, një moment që e festoi plot gëzim duke përqafuar partnerin e tij të lojës, Jamie Ding.
Affleck dhe Ding arritën në raundin final në episodin e së mërkurës të spektaklit të lojërave që drejtohet nga Jimmy Kimmel, ku u përballën me një pyetje rreth gjelave të detit të falur nga presidentët amerikanë. Dyshja duhej të përcaktonte se cilët emra nuk i përkisnin gjelave të detit të falur.
"Pra, do të themi D, Spaghetti dhe Meatball?" tha Ding pas diskutimit.
"Po", u përgjigj Affleck duke pohuar me kokë.
Pak para se të zbulohej nëse ishin përgjigjur saktë apo jo, dy djemtë dukeshin të tensionuar dhe sapo studioja kumboi nga tingulli, ata u ngritën në këmbë duke u përqafuar plot emocion.
Të dy po luanin për bamirësi. Fitimet do t'i dhurohen Eastern Congo Initiative, një organizatë jofitimprurëse e bashkëthemeluar nga Affleck në vitin 2010 për të mbështetur komunitetet kongoleze.
Affleck foli në spektakël për mënyrën se si ka kaluar 15 vitet e fundit duke punuar me këtë organizatë.
"Dhe tani, sigurisht, siç besoj se shumica e njerëzve e dinë, atje ekziston kriza e Ebolës", tha Affleck. "Prandaj ky fond është krijuar kryesisht për të ndihmuar në lehtësimin e saj dhe për të kufizuar përhapjen e Ebolës."
Aktori, regjisori dhe skenaristi fitues i çmimit Oscar pati fat që kishte Dingun si partner, ai numëron rreth 31 fitore duke u renditur i pesti në listën e fituesve më të mëdhenj të të gjitha kohërave në "Jeopardy!".
Prezantuesi aktual i "Jeopardy!", Ken Jennings, mban ende vendin e parë me 74 fitore radhazi.
Komente

