Ben Blushi: Referendumi, marrëzi
Rama kërkon mandat të përhershëm

Ben Blushi: Referendumi, marrëzi<br />Rama kërkon mandat të përhershëm
"Propozimi për të shkuar në referendum është marrëzi dhe me këtë Edi Rama kërkon të marrë një mandat të përhershëm në krye të Partisë Socialiste". Kështu u shpreh gjatë një prononcimi për mediat jashtë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS, deputeti Ben Blushi, duke e cilësuar të pakuptimtë idenë e referendumit, pasi sipas tij, ai përdoret për çështje, ndërsa janë zgjedhjet ato që bëhen për njerëz kandidatë. 

Blushi tha se, përmes referendumit, kryetari i PS, Edi Rama kërkon të marrë një mandat të përhershëm. "Kjo e sotmja për të shkuar në referendum është marrëzi. Referendumi nuk bëhet për njerëz, por për çështje dhe këtu ndryshon. Zgjedhjet bëhen për njerëz, ndërsa referendumet bëhen për çështje. Kush është çështja këtu? Rama kërkon të marrë me referendum për mandat të përhershëm. Kërkon të shkohet pa zbatuar statutin në fuqi. Do të kthehet në barsoletë kjo në këto 25 vjet. Nuk duhet të zbatojmë statutin në fuqi, por atë që s'ka hyrë në fuqi. Cila është pyetja që iu drejtohet anëtarëve të PS? T'i jepet Ramës mandati i përhershëm? Të mos ketë zgjedhje për kryetarin e PS? Është marrëzia e një njeriu që kërkon të shkojë në zgjedhje pa kandidat, që Edi Rama të konkurrojë përballë Edi Ramës", u shpreh Blushi. 

Ai theksoi se një pjesë e mirë e anëtarëve të asamblesë së PS kanë kërkuar zhvillimin e zgjedhjeve për kryetarin e PS, sipas parimit "një anëtarë një votë". Sipas tij, Rama pranoi gabimet, por nuk kërkoi korrigjimin e tyre. "Një pjesë e madhe e anëtarëve të Asamblesë kërkuan zgjedhjen e kryetarit të PS "një anëtarë, një votë". Patëm një shfaqje marrëzie dhe jo një debat. Edi Rama tha se, "kam bërë një gabim, por se ju nuk më ndihmuat që ta korrigjoj". Nëse ke bërë një gabim, ke marrë një mandat që s'të takon, hajde ta rregullojmë dhe mundësia e vetme është duke shkuar në zgjedhje për kryetarin e PS", tha ai. 

Deputeti socialist foli edhe për mungesën e transparencës gjatë mbledhjes së Asamblesë. "Edi Ramës duhet t'i kërkoni meqë ka debat të hapë televizionin për këtë asamble. Nuk është normale që kur flet Edi Rama është live kur flasin ne të tjerët spina hiqet, që këtu nuk ka transparencë".

Ndonëse fjalimi i tij në Asamble nuk u transmetua për mediat, Ben Blushi u shpreh se ka prezantuar platformën e tij për situatën ekonomike si dhe për demokratizimin e PS. "Sot ka qenë një debat themelor se çfarë vendimi do të marrim për Kongresin. Unë do të kem propozimet e mia sesi të shtohen vendet e reja të punës, si të rriten pagat, pensionet, si të rritet ndihma ekonomike, prodhimi, konsumi, si të ketë taksë progresive. "Kam kërkuar bërjen primare të zgjedhjeve brenda partisë. Kam kërkuar ndryshimin e skemës së financimit të partive. Në fushatën elektorale shifrat mund të shkojnë në miliona euro. Nga dalin këto para? Nga shqiptarët, nga taksat e tyre ose donacione anonime. Prandaj, partitë nuk kanë pse tu kushtojnë kaq shumë shqiptarëve. Zgjedhjet këtu janë më të shtrenjta se në Maqedoni, Kosovë etj", tha Blushi. 

"Lëvizja për Demokraci" për Ben Blushin erdhi si rrjedhojë e situatës aktuale në PS, për një qasje demokratike. Pavarësisht se fraksionet ndalohen me statut, Blushi tha se do të vazhdojë të flasë përsa kohë s'ka zgjedhje në PS. "Është një grup anëtarësh të Asamblesë që kanë propozuar disa ndryshime në statut dhe ka një qasje demokratike për atë që po ndodh. Fraksionet nuk janë të legalizuara por arsyeja për të folur nuk ka reshtur. Rilindja dhe PD janë të djathta. Unë jam futur në një parti të majtë dhe ajo duhet të respektojë statutin e vet dhe thelbin e ekzistencës së vet që është e majtë dhe punon për barazi”, deklaroi Blushi. 

Kritikat e tij në adresë të Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj, Edi Rama, Blushi tha se i lidh edhe me çështje që përbëjnë interes kombëtar. Mes partisë dhe Shqipërisë, tha ai, zgjedh Shqipërinë. "Kam thënë se në çdo rast mes partisë dhe Shqipërisë unë zgjedh Shqipërinë. Nuk mund të ketë një vend demokratik nëse partia më e madhe në vend nuk është demokratike. PS nuk po dëshmon solidaritet me të varfrit. Nuk është një parti e ndjeshme ndaj atyre që kanë nevojë. Prandaj, zgjedh interesat e Shqipërisë përpara ato të partisë", deklaroi më tej, Ben Blushi. 

Duke komentuar fjalimin e deputetes socialiste Arta Dade, e cila u shpreh se mund të mendojë edhe dorëzimin e teserës së anëtarësisë, Blushi tha se ishte një nga fjalimet më të bukura. "Dhe besoj se shumë i ka shtyrë të mendojnë ndryshe, shpresoj që të ndikojë. Pashë një njeri të zhgënjyer e cila tha se kjo rrugë do të lërë shumë të pakënaqur”, theksoi ai. 

I pyetur për etiketimet e kryeministrit Edi Rama, mes deklaratave të Blushit dhe Berishës, deputeti socialist u përgjigj se, "është një sulm shumë i dobët nuk ka vlerë të përgjigjem". "Asnjë ditë të jetës time nuk kam menduar si Saliu. Kam mendimet dhe mbroj pikëpamjet e mia. Unë dua ta forcoj PS, Saliu nuk do", vijoi Blushi.

Blushi, ironi me ndryshimet statutore, Fino i përgjigjet me batutë
Në mbledhjen e Asamblesë së PS me dyer të mbyllura, mësohet që Blushi të jetë shprehur se në referendum shkohet për çështje ose kauza dhe jo për emra konkretë.
 
Deputeti socialist ka ironizuar edhe ndryshimet statutore në PS, duke thënë se statuti i ri është pa timon.
 
Por, ironisë së tij, i është përgjigjur me një batutë, Bashkim Fino, i cili është shprehur se statuti e ka timonin, por në krah të kundërt. Deklaratë kjo që nënkupton devijimin ideologjik të Partisë Socialiste nga rryma e saj tradicionale. 

Redaksia online 
Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Barcelona pëson humbjen e parë sezonale, Osasuna e turpëron 4-2 në 'Pamplona'

Barcelona pëson humbjen e parë sezonale, Osasuna e turpëron 4-2 në 'Pamplona'