Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha refuzon thirrjen e Presidentit Ilir Meta për të bërë një hap pas në konfliktin politik për të dalë nga kriza, pasi vendi ndodhet në prag të vendimit për hapjen e negociatave. Pas takimit me Presidentin slloven, Basha tha se nuk do të ketë hapa pas, por vetëm përpara, sipas tij përballë kësaj qeverie të lidhur me krimin dhe beteja e radhës është nesër para parlamentit.

"Nuk kam ndërmend të komentoj asnjë deklaratë të presidentit Meta, por mund t’ju them se në përballjen me krimin e organizuar dhe një qeveri të kapur në bashkëpunim me krimin e organizuar për të vjedhur zgjedhjet dhe për të vjedhur paratë e shqiptarëve, nuk ka për të pasur asnjë hap pas. Ka për të patur vetëm hapa përpara se vetëm hapat përpara, largimi një orë e më parë i Edi Ramës dhe një qeveri e palidhur me krimin e organizuar, që mundëson zgjedhje të lira e të ndershme, do t’u japë shqiptarëve atë që meritojnë: një parlament dhe qeveri prodhim i votës dhe vullnetit të tyre dhe jo prodhim i niçeve, i bajrave, i shullazëve me shokë.

Presidenti Ilir Meta pasditen e sotme u bëri apel palëve politike të bëjnë hapa pas për të rivendosur normalitetin në atë që ai e quajti krizë politike, kushtetuese dhe institucionale në Shqipëri, por duket se opozita është e vendosur për të vijuar aksionin.