Katër shqiptarë janë arrestuar në Itali për vjedhje banesash në disa provinca në veri të vendit, një operacion që ka zbuluar një aktivitet kriminal prej qindra mijëra eurosh.

Grupi vepronte në zonat e Bergamos, Pordenones, Venecias dhe Udines dhe akuzohet për vjedhje banesash, marrjen e mallrave të vjedhura, riciklimin e targave dhe rezistencën ndaj policisë. Gjykata ka theksuar se ka rrezik të lartë për arratisje dhe përsëritje të veprës penale.

Policia ka arrestuar 30-vjeçarin Aldi Gjetani, i shpallur në kërkim me dy urdhër-arreste dhe u kap pas një aksidenti rrugor, ndërsa pas përfundimit të dënimit i është vendosur masa e dëbimit.

Një nga të arrestuarit, Silvano Marku, ndodhet tashmë në paraburgim në burgun e Lodit. Ai nuk ka dhënë detaje gjatë marrjes në pyetje, duke thënë se nuk i kujtohen rrethanat.

Të arrestuarit kishin lidhje me qarqe kriminale të njohura dhe mbaheshin financiarisht nga aktivitetet mashtruese.

Përgjimet telefonike nxorën në pah frikën e anëtarëve nga reagimi i banorëve gjatë vjedhjeve duke theksuar se kishin nevojë për armë. Është evidentuar edhe përdorimi i kokainës për të përballuar frikën gjatë vjedhjeve.

Sipas hetimeve të mëparshme, banda ka kryer rreth 70 vjedhje që arrijnë në një vlerë rreth 181 mijë euro./Il Gazzettino