BEOGRAD - Plani i zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit në Bruksel, është miratuar mbrëmë në Beograd nga qeveria e Serbisë dhe kryeministri Ivica Daçiç ka informuar për këtë vendim përfaqësuesen e lartë të BE-së, Catherine Ashton.

     "Qeveria e Serbisë e ka miratuar raportin e ekipit për hartimin e planit të zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel, si dhe planin e zbatimit të marrëveshjes së parë për parimet të cilat rregullojnë normalizimin e raporteve si document, i cili nuk e paragjykon statusin e Kosovës", raportojnë mediat duke iu referuar komunikatës zyrtare.

     Qeveria e Kosovës planin e zbatimit të marrëveshjes e ka miratuar të premten dhe kryeministri Hashim Thaçi ia ka konfirmuar me shkrim baroneshës Ashton.
     Kreu i qeverisë kosovare Thaçi deklaroi dje në Prishtinë, në një takim me kongresistë amerikanë se, "zbatimi i marrëveshjes është në interes të perspektivës evropiane të të dy vendeve dhe të rajonit në tërësi, të bashkëpunimit rajonal, dhe në këtë drejtim qeveria dhe të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës janë të vendosura për zbatimin e plotë".

     Pas takimit dyditësh në Bruksel, në 22 maj, nga zyra e Ashton, e cila është edhe ndërmjetësuese e procesit, është thënë se Thaçi dhe Daçiç "kanë rënë dakord për një tekst të caktuar, për të cilin do të diskutojnë". "Ata do të jenë në kontakt me mua deri në fund të javës", është cituar ajo.

(atsh/sg/shqiptarja.com)