TIRANE - Sekretari i programit të PS, Ilir Beqja shprehet se kjo parti që do të qeverisë vendin, pritet që të realizojnë që në fillimet e ditëve të saj premtimet për hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës.

Bashkëkryetari socialist i grupit të punës për programin qeverisës, u shpreh se në 300 ditët e para të qeverisjes së koalicionit të majtë, përfshihen të gjitha pikat e programit. "Fokusi kryesor i gjithë programit është në funksion të realizimit të këtij objektivi kryesor.

Për fat të mirë, objektivin kryesor- punësimin- e ka edhe LSI. Kemi goxha dakortësi që në programet e gjithsecilës palë për sektorët që duhet të zhvillohen për të dhënë rezultat në punësim dhe tani do të duhet të dakortësojmë instrumentat, mekanizmat, rregullimet ligjore dhe institucionale, injeksionet financiare dhe burimet për këto injeksione për të arritur këtë synim", tha Beqja.

Sekretari socialist u shpreh se nuk ka asnjë konflikt mes programit të socialistëve dhe atij të LSI, qoftë për vendet e reja të punës qoftë edhe për modelin ekonomik. Taksa progresive për të cilën Ilir Meta është shprehur me rezerva gjatë fushatës, tashme nuk përbën problem për koalicionin e majtë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (prin) 02.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)