Një aksident me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur në fshatin Samaticë, në bashkinë Dimal të Beratit.

Viktima është identifikuar si Zenun Zeka, 67 vjeç, banor i këtij fshati. Sipas të dhënave paraprake, i moshuari ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit me të cilin po udhëtonte dhe ka dalë nga rruga.

Për pasojë, makina është përmbysur në kanalin anësor të rrugës, duke bërë që drejtuesi të humbasë jetën.

Në vendngjarje mbërriti ambulanca, e cila transportoi trupin e pajetë të 67-vjeçarit drejt morgut të Spitalit Rajonal të Beratit.

Ndërkohë, grupi hetimor kreu veprimet e para për të dokumentuar ngjarjen dhe për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.

Paraprakisht dyshohet se shkaktarë të daljes së automjetit nga rruga kanë qenë shpejtësia dhe mungesa e ndriçimit në këtë segment rrugor. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit tragjik.