BERAT - Banorët e lagjes 30-vjetori në Berat janë ngritur në protestë, duke kundërshtuar projektin e kandidatit për deputet të Partisë Demokratike, Astrit Veliaj. Ata ankohen se Veliaj po shtron rrugët e lagjes me cakull, duke krijuar më shumë baltë dhe ndotje, ndërsa denoncojnë se nisma e tij është thjeshtë projekt elektoral dhe po zbatohet në mënyrë krejt klandestine. 

Protestës së banorëve i është bashkuar edhe kandidati i Partisë Socialiste në Berat, Artan Lame. "Bëjnë sikur mbushin gropa ose sikur hedhin çakëll në këto gropa. Në qoftë se ditët e para kjo ishte një dukuri, që hidhnin ca çakull, tani po hedhin fare baltë nëpër këto gropa, gjoja sikur punon kandidati. Merret një leje ndërtimi, kur do të bësh një rrugë, e cila do një projekt. Nuk mund të hidhet thjesht baltë apo çakëll nëpër rrugë, të cilat nuk kanë asnjë infrastrukturë poshtë, e të cilat duhen gërmuar prapë nga fillimi", tha Lame.

Rrugët e lagjes 30-vjetori në qytetin e Beratit janë në gjendje të amortizuara prej kohësh, ndërsa banorët apelojnë për rikonstruksionin e rrugëve brenda të gjitha parametrave të nevojshme.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)