Berat - Një 21-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Beratit dhe një tjetër do të hetohet në gjendje të lirë pasi merreshin shitje kanabisi në doza.

I riu i arrestuar e ndante lëndën narkotike në doza në banesën e tij në lagjen “30-Vjetori”, dhe më pas ia jepte 20-vjeçarit, për ta shpërndarë me automjet.

Gjatë këtij operacioni blutë sekuestruan 2 celularë dhe lëndën narkotike të gjetur në makinën e 20-vjeçarit.

“Si rezultat i hetimeve të ndjekura për disa muaj, në koordinim me Prokurorinë e Beratit, me objektiv identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të implikuar në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja" dhe me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin “Porcione”.

Në kuadër të operacionit, u arrestua shtetasi A. K., 21 vjeç, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi K. K., 20 vjeç, të dy banues në Berat, pasi nga hetimet rezultoi se i arrestuari siguronte sasi Cannabisi, të cilën e ndante në doza, në banesën e tij në lagjen “30-Vjetori”, dhe më pas ia jepte 20-vjeçarit, për ta shpërndarë me automjet.

Lënda narkotike e gjetur në banesën e shtetasit A. K. dhe në automjetin që drejtonte shtetasi K. K., si dhe celularët e këtyre shtetasve, u sekuestruan me cilësinë e provës materiale”, njoftoi sot policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.