BERAT – Një person është goditur për vdekje me thikë dhe dy të tjerë janë plagosur mbrëmjen e sotme në fshatin Poshnje të Beratit. Viktima, Gëzim Protoduari, 50 vjeç, është vrarë në një lokal të fshatit pas një sherri që ka lindur për shkak të një femre dhe jo për motive pronash, siç u njoftua fillimisht.
Si pasojë e goditjeve me thikë kanë mbetur të plagosur edhe dy shtetas të tjerë. Bëhet fjalë për Sako dhe Eduart Protoduarin të cilët – sipas informacioneve paraprake – besohet të jenë i biri 20-vjeçar dhe vëllai i viktimës.
Autorë të ngjarjes mësohet se janë dy vëllezër, Besnik dhe Bedri Ibrahimi, banorë të të njëjtit fshat, të cilët janë shpallur në kërkim nga policia. Në gjurmët e tyre janë vendosur njëkohësisht edhe familjarët e viktimës të cilët duan t’i kapin për t’u hakmarrë.
Sipas Policisë, Sako, djali i Gëzim Protoduarit dhe djali i Besnik Ibrahimit ishin rrahur para disa ditësh për shkak të një vajze. Për këtë, viktima, Gëzim Protoduari, ka marrë vëllain e tij Eduartin dhe ka shkuar në lokalin e fshatit për të sqaruar sherrin.
Gjërat nuk kanë shkuar siç ishte menduar dhe sqarimi ka degjeneruar në sherr me fjalë dhe më pas në dhunë. Sipas një rindërtimi të parë ngjarjes nga Policia, Gëzim Protoduari ka qëlluar me mjete të forta njërin prej autorëve të vrasjes, Besnik Ibrahimin. Ky i fundit ka nxjerrë një thikë dhe ka qëlluar Gëzim Protoduarin dhe plagosur dy të tjerët. Dy të lënduarit ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.










