BERAT- Reshjet intensive të shiut të rëna gjatë dy ditëve të fundit në rrethin e Beratit, kanë bërë që një përrua të dalë nga shtrati duke përmbytur një banesë dhe vënë në rrezik jetën e familjarëve të saj. Banesa e Sali Gurrit, në fshatin Belesovë, të komunës Lumas, u përmbyt nga vërshimi i përroit të zonës mbrëmjen e djeshme.
 
Pesë familjarët e familjes, mes të cilëve një i moshuar dhe një vajzë me probleme të shëndetit mendor kanë kaluar momente tmerri kur përroi vërshoi në mes të natës duke i përfshirë banesën.
 
Kryefamiljari Sali Gurri, banesa e të cilit ndodhet në periferi të fshatit shumë pranë përroit, apelon për ndihmë, pasi ndihet i rrezikuar për jetën e familjarëve të tij sa herë që ka reshje shiu me intensitet të lartë.
 
Gurri kërkon ndihmë për të strehuar familjarët e tij, të cilët kanë nevojë për strehë, mjekim dhe ushqim.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)