Berati dhe gjashtë Site të tjera të UNESCO-s prezantohen në Konferencën Evropiane në Ljubljanë, Slloveni.
 
 
Konferenca finale e projektit SUSTCULT (Arritja e qëndrueshmërisë nëpërmjet një qasje të integruar në trashëgiminë kulturore) u mbajt në Ljubljanë Slloveni në 8  Prill  dhe ishte një rast i rëndësishëm për të dhënë njohuri të mëtejshme në rezultatet e projektit, për të analizuar mundësitë e financimit dhe për të diskutuar idetë e mundshme të projekteve në fushën e trashëgimisë kulturore në të ardhmen. Veprimtaria mblodhi së bashku organizatat ndërkombëtare, rrjetet evropiane, zyrtarë qeveritarë, projekte të tjera kulturore Evropiane dhe organizata kulturore,  me qëllimin që të ndanin praktikat më të mira dhe zgjidhjet e duhura për çështjet e mbrojtjes së trashëgimisë dhe të promovimit të saj.
Qytetet pjesëmarrëse ishin Berat ( Shqipëri), Bakau ( Rumani), Vipava Valley (Slloveni), Korfuz (Greqi), Venecia ( Itali), Ohri ( FYROM), Hurezi ( Rumani).

Në këtë Konferencë u prezantuan rezultatet e projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian për Evropën Juglindore të realizuara gjatë viteve  2007-2013, rezultatet e projektit SUSTCULT, ndërsa ekspertë nga Zyra e UNESCO-s në Venecia  dhe ICCROM prezantuan sfidat kryesore të menaxhimit të trashëgimisë kulturore në rajonin e Evropës Juglindore, çështjet e edukimit dhe trajtimi i konservimit në menaxhimin e qëndrueshëm të trashëgimisë kulturore.
Diskutimet e hapura trajtuan një numër të temave kryesore: si mënyrat e  financimit për  mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe promovimin e saj në periudhën 2014-2020, u prezantuan disa programe financimi të Bashkimit Evropian si Programi Danub, Programi Adriatik-Jon, Programi Ballkan - Mesdhe, Programi  Evropa Qëndrore dhe Programi i Hapesirës ​​Alpine.
 
Gjatë Konferencës u zhvilluan disa projekt-ide mbi zhvillimin e Trashëgimisë Kulturore në periudhën e programimit 2014-2020, duke synuar identifikimin e fushave të përbashkëta të të menduarit dhe të interesit bazuar në gjetjet dhe sfidat e projektit SUSTCULT. Pjesëmarrësit ishin të angazhuar në mënyrë aktive në një punë bashkëpunuese e cila ndihmon për të ndarë prioritetet për iniciativat e ardhshme të përbashkëta në Menaxhimin e Trashëgimisë Kulturore në Evropën Juglindore.

Berat  

Qyteti i Beratit, deklaruar Qytet Muze në 1961 nga Qeveria Shqiptare, iu shtua Listës së Trashëgimisë Kulturore të Unesco-s në 2008. Berati është një qendër historike e fortifikuar, i cili dëshmon pasurinë dhe diversitetin e trashëgimisë arkitekturore të rajonit. Qendra Historike përbëhet nga Kalaja e Beratit e ndërtuar mbi një kodër në anën veriore të lumit, lagjia Mangalem vendosur në këmbët e kodrës së kalasë, kalaja e Goricës dhe lagjia e saj vendosur në bregun jugor të lumit  si dhe Qendra Mesjetare. Qendra urbane e qytetit ka dëshmi të jashtëzakonshme të llojeve të ndryshme të monumenteve dhe një arkitekturë mbresëlënëse, qendër e rëndësishme e turizmit kulturor në Shqipëri.