Qeveria vendosi dje të japë 36 milionë lekë për shoqatën "Vatra" në SHBA, në kuadër të financimeve që buxheti I shtetit po bën për festimet për 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Këto fonde, do tu jepen drejtuesve.
Kaq u kushton taksapaguesve shqiptarë ftesa që organizata Vatra i ka bërë kryeministrit shqiptar për të festuar në Nju Jork 100-vjetorin e themelimit të saj.
Qeveria ka miratuar dje një vendim që parashikon dhënien e një fondi prej 36 milionë lekësh për "Vatrën", që ajo të festojë 100-vjetorin e themelimit, që përkon me 100-vjetorin e pavarësisë.
Paratë do jepen nga fondi rezervë i qeverisë. Kryeministri Sali Berisha do të jetë I fundit politikan që viziton SHBA-të pas vizitave të Bashës, Spahiut, Metës dhe Ramës. Ky i fundit pati edhe axhendën më të ngjeshur politike atje. Në një njoftim të pak ditëve më parë organizata "Vatra", e cila ka ftuar kryeministrin shqiptar për një vizitë në 100-vjetorin e saj, që përkon edhe me 100 vjetorin e pavarësisë, konfirmoi se i pranishëm do jetë edhe ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu.
Në një shkrim të gazettes Dielli online thuhet se Arvizu do jetë më 28 dhe 29 prill në dy ditë festime të Vatrës. Në takim do jetë edhe Princi Leka II. Në konferencë do mbajnë kumtesa Nicholas Pano, Beqir Meta, Jusuf Bajraktari, Elez Biberaj, Anton Çefa, etj. Në festime do ketë edhe përfaqësues nga Departamenti i Shtetit, kongresmenë e senatorë.
“Vatra” kishte kwrkuar zyrtarisht që të ishte pjesë e festimeve të qeverisë shqiptare për 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Gjatë takimit të pak muajve më parë me kryeministrin Berisha, përfaqësia e Federatës Pan-Shqiptare në SHBA "Vatra", e kryesuar nga kryetari i saj zoti Gjon Buçaj, kishte vendosur që "të marrë pjesë në organizimet dhe aktivitetet, që do të zhvillohen me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit". Ndërsa kryeministri kishte theksuar se Federata 'Vatra' do të jetë pjesë në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë si një nga organizatat më të fuqishme të shqiptarëve të diasporës.
Kryeministri i njohu drejtuesit e shoqatës se për festimet e 100 vjetorit të
pavarësisë së vendit, është krijuar një komitet, i cili po punon që kjo ditë e shënuar të kremtohet gjërësisht nga të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.
"Ne, kemi lënë pas bashkë me diktaturën edhe varfërinë dhe braktisjen e vendit. Periudha e largimit të shqiptarëve nëpër botë po merr fund, pasi ata po e shikojnë çdo ditë e më shumë të ardhmen e jetës dhe familjeve të tyre në atdheun e tyre, në Shqipëri",- theksoi kryeministri i vendit Sali Berisha.

(aq/shqiptarja.com)