TIRANE- Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se festën e Pavarësisë, nuk e festuan të gjithë shqiptarët në qetësinë dhe dinjitetin e merituar. Në një reagim në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”, Berisha ndalet tek disa zhvillime të ndodhura në Preshevë, Shkup dhe pikën kufitare me Greqinë. Ish-kryeministri denoncon këto raste, ndërsa fton shqiptarët “për të punuar me seriozitet më të madh për proveset integruese europiane dhe shqiptare, në mënyrë që akte të tilla të mos kenë të ardhme”.

Duke i cilësuar këto ngjarje “akte të padenja albanofobie”, ish-kryeministri berisha thotë se “fëmijët e fshatrave të Preshevës, në prag të festës tonë kombëtare, u terrorizuan për disa ditë nga policia serbe, e cila në aksionin kundra abetareve iu mori vogëlushëve brutalisht nga çantat abetaret e gjuhës shqipe. Kjo për fajin e vetëm se në kopertinën e tyre shkruhej: Shtypur në Republikën e Kosovës. Kjo ndodhi pas firmosjes së Marrëveshjes historike Kosovë - Serbi dhe në prag të vizitës së shtyrë dy javë më parë nga Beogradi të zotit Rama në kryeqytetin e Serbisë”.

Ndërsa duke iu referuar një tjetër rasti shkruan “Në Shkup, autoritetet nuk lejuan ngritjen nga të rinjtë shqiptarë të flamurit kombëtar në Kalane e Shkupit, ditën e festës së kombit të tyre”.

Sa i takon ndalimit të drejtoreshës së ISSH, Vjollca Braho, për të kaluar në pikën kufitare të Kapshticës disa ditë më parë, Berisha vijon “Autoritetet kufitare greke ndalojnë në kufi një qytetare të nderuar, zyrtare të lartë shqiptare, vetëm se ajo është çame dhe kjo ndodh pas vizitave të suksesshme të Presidentit Papulias por dhe zëvendës kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm Venizelos në Shqipëri. Mjerisht të gjitha këto akte, jo pa simbolikë të shëmtuar, janë kryer nga organe zyrtare të fqinjëve tanë dhe nuk përputhen me asnjë praktikë europiane”.
berisa fb per festen e pavaresise
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)